Bulliqi: Kemi filluar përgatitjet për demarkacionin e kufirit me Serbinë
Vazhdojnë mospajtimet për korrigjimin e kufijve. Zyrtarët e Komisionit shtetërorë dhe ekspertët kanë mendime të kundërta.
Në takimin e radhës në Bruksel sipas paralajmërimeve të presidentit, Hashim Thaçi pritet të diskutohet për demarkacionin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe për korrigjim të kufijve.
Komisioni shtetëror i Kosovës për shënjim dhe mbikëqyrje të vijës kufitare nuk sheh pengesë për vendosje të këtij kufiri, analistët propozojnë t’i kushtohet vëmendje maksimale kësaj çështje.
Kryetari i këtij komisioni, Shpejtim Bulliqi, thotë se me kërkesën e kryeministrit Haradinaj, Komisioni shtetëror i Kosovës për shënjim dhe mbikëqyrje të vijës kufitare tashmë ka filluar përgatitjet në grumbullimin e faktografive lidhur me kufirin mes Kosovës dhe Serbisë dhe njëkohësisht përgatitjen e një strategjie për demarkimin e kufirit me Serbinë.
“Në këtë situatë, faktikisht janë disa ndryshime të vijave kufitare që kanë ndodhur në periudha të caktuara. Por të gjitha këto ndryshime që kanë ndodhur në vijën kufitare janë të mbuluara me dokumentacione dhe vendime politike të periudhave të caktuara kohore”, ka thënë Bulliqi, për RTV21.
Analisti Taulant Kryeziu vlerëson se diskutimi për territorin e shtetit duhet të jetë më i matur e jo sikurse po flitet, për pronë private.
Ai paralajmëron se vetëm një institucion ka mandat për këtë punë.
“Asnjë institucion nuk ka të drejtë të flas për territorin, aleancat, paqen, borxhin e jashtëm, përveçse Kuvendi i Republikës së Kosovës. Presidenti i vendit duhet të përfaqësoj unitetin juridiko kushtetues dhe atë në kuadër të kompetencave të tij, të nenit 83. Vetëm Kuvendi i Kosovës mund të vendos për tema që kanë të bëjnë me territorin e Kosovës dhe askush tjetër”, tha Kryeziu.
Ndërsa, profesori i të Drejtës Ndërkombëtare, Avni Mazreku, thotë se vija kufitare mes Kosovës dhe Serbisë fillimisht duhet të njihet nga Bashkimi Evropian.
Ai tha Bashkimi Evropian është krejtësisht kontradiktor në këtë proces, sepse nuk e njeh vijën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë si vijë kufitare shtetërore.