Bulliqi: Kosova është e gatshme të përballët me Serbinë për demarkimin e kufirit
Kryetari i Komisionit për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, Shpejtim Bulliqi, ka thënë se askush nuk ka nevojë të frikësohet nga procesi i demarkacionit në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Ai ka thënë për “Epokën e re”, se në rrethana normale nuk do të duhej të paraqiten komplikime në këtë proces.
“Çdo proces demarkimi i ka të përbashkëtat dhe të veçantat e veta. Raportet ndërfqinjesore e thjeshtësojnë apo komplikojnë procesin e demarkimit me çdo shtet fqinj. Element tjetër është edhe serioziteti i vet shtetit/komisionit që merret me këto çështje. Me Serbinë raportet i kemi çfarë i kemi, pra kemi situatë ku Serbia ka pretendime territoriale ndaj Kosovës. Në rrethana normale nuk do të duhej të paraqiten komplikime, por për çdo rast pala e Kosovës duhet të jetë vigjilente, ndërsa që rasti me Malin e Zi duhet të na shërbejë si shembull që çdo shqetësim të shprehur nga kushdo ta marrim seriozisht”, ka thënë Bulliqi.
Bulliqi ka thënë se në komisionin që drejton ka anëtarë të përgatitur mirë dhe se në asnjë rrethanë nuk do të heqin dorë nga ajo që i takon Kosovës.
“Ju siguroj se sa i përket aspektit profesional të komisionit tonë askush nuk ka nevojë të shqetësohet. Nuk do t’ia lëmë rastit asgjë. Në komision kemi anëtarë të përgatitur mirë që në asnjë rrethanë, për hatër të askujt, nuk do të heqin dorë nga ajo çfarë është e Kosovës, gjithnjë duke u bazuar në fakte. Kosova është e gatshme për t’u përballur me fakte me palën serbe. Për të mos dalë Kosova humbëse, shpresoj se në këtë proces Serbia të mos gjejë ‘përkrahës dorëlirë’ vullnetarë nga Kosova të cilët do ta justifikojnë heqjen dorë nga territori ynë. Komplikimi politik dhe ideja e shkëmbimeve territoriale është situatë e re, kuptohet sjell komplikime dhe rreziqe të shumta. Ne si komision kemi mandat vetëm për kufirin ekzistues të Kosovës të përgatitemi për punë. Ne nuk jemi në dijeni se a ka apo nuk ka ndonjë ‘strukturë paralele’ pa mandat, që mund të jetë duke u marrë me atë çështje, pra ndarjen e Kosovës apo ‘shkëmbimin territorial’”, ka deklaruar Bulliqi