Bulliqi nënshkroi marrëveshje me Caritasin për përkrahje në edukimin parafillor
Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka pritur të mërkurën përfaqësuesit e Caritasit në Kosovë me të cilët ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi për edukimin parafillor.
Gjatë takimit Bulliqi dhe udhëheqës i zyrës së Caritasit në Kosovë, Kreshnik Basha, kanë biseduar për thellimin e bashkëpunimit në projekte për arsimin parafillor, bujqësi, riintegrim dhe riatdhesim.
Marrëveshja e nënshkruar mes tyre parasheh nxitjen e edukimit të hershëm, përmes trajnimeve të edukatoreve që do të bëhet në dy grupe si dhe investimi në pajisjet e ambienteve të arsimit parafillor për pesë klasa mësimi, që do të financohet nga tre donatorë nga Lihtanshtajni.
Bulliqi ka falënderuar përfaqësuesit e Caritasit për projektet e realizuara deri tani në Komunën e Podujevës, veçmas për marrëveshjen e nënshkruar nga e cila do të përfitojnë fëmijët.
Gjithashtu, kryetari Bulliqi u zotua për thellim të bashkëpunimit duke premtuar se mekanizmat adekuatë të Komunës do të jenë në shërbim të realizimit të projekteve me Caritasin.
(Q.R / Epoka e re)