Bulliqi priti në takim përfaqësuesit e ASK-së, flasin për regjistrimin e popullsisë
Kryetari i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi bashkë me drejtorët, Antoneta Ejupi dhe Leutrim Krasniqi kanë pritur në takim drejtorin e departamentit për statistika sociale, Avni Kastrati dhe bashkëpunëtorët e tij nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.
Përfaqësuesit e ASK-së i njoftuan udhëheqësit komunal se gjatë këtij viti ASK-ja planifikon të bëjë regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave.
Periudha e cila do të realizohet regjistrimi i popullsisë është nga data 1 shtator deri më 16 tetor 2023.
Regjistrimi do të jetë gjithëpërfshirës dhe të gjithë qytetarët e Kosovës janë të obliguar ligjërisht që t’i përgjigjen regjistrimit dhe të japin informata të sakta për çdo anëtar të familjes.
Bulliqi u zotua për gatishmërinë e plotë të institucioneve lokale për bashkëpunim me Agjencinë e Statistikave të Kosovës, në mënyrë që të sigurohen të dhëna sa më të sakta dhe të dyja palët u dakorduan për bashkërendim të planit për realizimin sa më të suksesshëm të këtij projekti.