“Bumi” i Kryeziut del nga shtypi
Ka dalë nga shtypi romani i parë i autorit Shend Kryeziu nën përkujdesjen e shtëpisë botuese “Armagedoni”. Sipas recensentes së librit, Arta Maxhuni, “Bum”-i i Shendit është një enigmë e pazgjidhur e cila tërheq vëmendjen se këndvështrimi ynë për inteligjencën njerëzore duhet të jetë më i thellë. “Ky libër shtjellon dallimin e jetëve, karaktereve si dhe lidhjet e tyre të ndërlikuara në mes dy ‘botëve’, njerëzores dhe jonjerëzores”, ka shkruar Maxhuni.
Ndërkaq recensenti tjetër, Sali Bytyçi, ka shkruar se zhanri fantastik është pak i lëvruar në letërsinë shqipe dhe Shendi me këtë zhanër jep kontribut të jashtëzakonshëm në letërsinë tonë. “Lehtësia me të cilën rrëfen narratori në këtë prozë paralajmëron një krijues me një të ardhme të shkëlqyer në letërsinë shqipe. Një gjë të tillë sugjeron edhe lënia hapur e subjektit të kësaj proze, e cila, po ashtu, ia jep mundësinë autorit të saj dhe personazheve për mistere të reja, të cilat shkojnë drejt zbulimit, por pa u zbuluar kurrë deri në fund”, ka shkruar Bytyçi për këtë libër.
Shend Kryeziu (2001) është student i Mjekësisë së Përgjithshme në Universitetin e Prishtinës. Shkollimin fillor dhe të mesëm të ulët e kreu në “Gjergj Fishta”, kurse atë të mesëm të lartë në “Sami Frashëri” në Prishtinë. Ka marrë pjesë në shumë ngjarje edukative dhe arsimore me karakter garues. Është i pasionuar pas leximit dhe studimit. Ky është romani i tij i parë.