Bumi turistik në Shqipëri do të ndryshojë ligjin
Bumi turistik në Shqipëri, sezonin që shkoi, nuk u përkthye edhe në bum ekonomik. Këtë shqetësim, kryeministri i këtij vendi, Edi Rama, ua shprehu hapur operatorëve turistikë, duke thënë se “nuk mundet që sipërmarrja të fitojë, ndërkohë që arka e shtetit lëngon”.
Për ta formalizuar më tej këtë sektor, Qeveria hodhi për konsultim disa ndryshime në Ligjin për turizmin.
Ekspertët thonë se ndryshimet janë të nevojshme, të tjerë mendojnë se duhet të ishin bërë më herët.
Të dhënat e Ministrisë së Turizmit tregojnë se rreth 8.3 milionë turistë të huaj e vizituan Shqipërinë në 9 muajt e parë të këtij viti, edhe pse numri i deklaruar nga të gjitha strukturat akomoduese, është më i ulët.
Shifra zyrtare, megjithatë, paraqet rritje për gati 30% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Operatorët turistikë: Ndryshime të nevojshme, informalitet i lartë
Zak Topuzi, kryetar i Shoqatës së Hoteleri-Turizmit në Shqipëri, thotë se kjo organizatë ka kërkuar vazhdimisht që Ligji për turizmin, i miratuar në vitin 2015, të ndryshojë. “Viteve të fundit ka pasur zhvillime të mëdha. Duke mos paguar taksa, disa individë apo biznese sigurojnë të ardhura që, në njëfarë mase, dëmtojnë tregun. Gjithashtu humbet edhe mbrojtja e konsumatorit, pasi nuk janë të certifikuar dhe të standardizuar”, thotë Topuzi.
Ai shton se, tash e gjashtë muaj, shoqata e tij ka bërë këtë kërkesë për formalizim të tregut, duke theksuar se vendet e tjera të Ballkanit e kanë kryer me kohë këtë proces. “Janë mbi 8 mijë subjekte që shesin online, ndërkohë janë 4 mijë ose më pak biznese të deklaruara. AirBNB dhe Booking na kanë thënë se kërkesa për formalizim duhet të vijë nga institucionet”, thotë Topuzi duke iu referuar platformave online për akomodim.
Çfarë parashikojnë ndryshimet në Ligjin për turizmin?
Kryeministri Edi Rama tha se bumi turistik i këtij viti, përtej efekteve pozitive, e ka vënë Qeverinë përpara disa sfidave, siç janë: siguria, ndotja dhe qasja në infrastrukturë. Ai tha se nuk mund të ndodhë që fitimet të shkojnë vetëm tek operatorët turistikë privatë dhe shteti të mos marrë atë që i takon, ndaj dhe do të ketë ndryshime në Ligjin për turizmin.
Sipas projektligjit të hedhur në konsultim, nga dhomat e thjeshta deri te vilat që akomodojnë pushues përmes platformave online, AirBNB apo Booking, dhe nuk kanë licencë, do të regjistrohen në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Me këto ndryshime të propozuara synohet që strukturat informale që akomodojnë pushues, të futen në sistemin e deklarimit dhe të taksimit të të ardhurave.
Nëse nuk deklarohen, do të ndëshkohen me gjobë nga 20 mijë lekë [190 euro] deri në 400 mijë lekë (3.700 euro). Gjoba është dyfishuar krahasuar me ligjin aktual.
Gjithashtu parashikohet që të gjitha strukturat që do të ofrojnë shërbime akomodimi, ta kryejnë regjistrimin elektronik të klientëve me të dhënat përkatëse.
Të gjitha këto ndryshime, sipas Ministrisë së Turizmit, pritet t’i rrisin të ardhurat me 10-15%, krahasuar me të ardhurat e këtij viti.
Çfarë thonë ekspertët?
Për ekspertin e ekonomisë në Shqipëri, Eduard Gjokutaj, shqetësim përbën “befasia”, sipas tij, me të cilën Qeveria përpiqet ta prezantojë këtë projektligj. “Duhet të kishim një raport për çfarë ka konstatuar qeveria, pse është kjo nevojë dhe si e koncepton informalitetin ajo. Për mua, informaliteti nuk është problem i modifikimit të një ligji apo ndërhyrjeve të pjesshme. Lufta ndaj këtij fenomeni duhet të vinte nga një analizë. Momenti nuk është i përshtatshëm, pasi ka ende vizitorë”, thotë Gjokutaj.
Nga ana tjetër, shton ai, edhe statistikat çalojnë. “Deri në vitin 2019, statistikat kanë qenë më të specifikuara, dalloheshin vizitorët ditorë me ata që rrinin më gjatë. Tani mund të jenë edhe ata që vijnë si emigrantë dhe akomodohen në banesat e tyre”, thotë Gjokutaj.
Ekspertja tjetër e ekonomisë, Teuta Nunaj Kortoçi, thotë se krahas fushatës që ka bërë Qeveria për të promovuar Shqipërinë, duhet të ishin marrë masa edhe për përballimin e fluksit të pritshëm.
Ajo thotë se prej se është miratuar ligji aktual, tetë vjet më parë, ka pasur zhvillime të vrullshme, ndaj edhe masat duhet të ishin marrë më herët.
“Institucionet veprojnë vetëm ‘post factum’, d.m.th. pasi ndodh ngjarja. Nuk marrin masa për ta parashikuar veprimin.
Kjo i bën këto institucione të jenë me lëvizshmëri të ngadaltë dhe njëkohësisht hezituese e jokoherente me zhvillimin e tregut”, thotë Nunaj Kortoçi. “Matja e zhvillimit të turizmit vetëm me një tregues, siç është numri i turistëve, është e pamjaftueshme për të identifikuar nivelin e zhvillimit të këtij sektori”, sipas saj.
Nunaj Kortoçi shton se nuk mjafton vetëm ndryshimi i bazës ligjore, por edhe kontrolli i zbatimit të saj.
“Është e rëndësishme që të zhvillohet edhe ndarja e kategorizimi i barrës fiskale sipas kategorive të turizmit, vendit dhe hapësirave. Sepse, një biznes p.sh. në Dhërmi apo Sarandë nuk mund ta këtë të njëjtin detyrim tatimor si ai në zonat më pak të zhvilluara. Në konsideratë duhet mbajtur edhe fakti se çdo ndryshim fiskal që mund të ndodhë në sektorin e turizmit, bizneset do ta përcjellin drejtpërdrejt te konsumatori final, duke rritur çmimin e shërbimit”, thotë Nunaj Kortoçi
Shqipëria, nga media të ndryshme ndërkombëtare, u radhit sivjet si një ndër destinacionet më interesante të sezonit veror 2023. / Rel