Bundesliga hap dyert e stadiumeve për sezonin e ri
Bundesliga është gati të rihapë stadiumet për tifozët duke nisur nga ndeshja e parë e sezonit të ri Bayern Munich-Schalke, që do të luhet të premten në mbrëmje.
Sipas “Kicker”, qeveria gjermane ka hartuar një rregullore të njëjtë që do të rikthejë publikun në stadiume në vetëm 20% të kapacitetit të secilit impiant. Po ashtu, duke qëndruar në atë që raporton prestigjiozja gjermane, kjo do të vlejë si një periudhë prove vetëm për gjashtë javët e para.
Më pas, situata do të rivlerësohet në fund të tetorit. Gjatë kësaj periudhe do të vlerësohet nëse do të ketë ose jo ndikim në përhapjen e infeksionit të Covid-19. Disa Lande kishin lejuar tifozët në stadium në mënyrë të pavarur për ndeshjet e Kupës. Pamjet e 7500 tifozëve pa asnjë masë mbrojtëse në sfidën mes Hansa Rostock dhe Shtutgart bënë xhiron e botës. Por duke nisur nga e premtja numri i të pranishmëve do të jetë vetëm sa 1/5 e kapaciteteve të stadiumeve.