Bunjaki, afër marrëveshjes me Rizesporin
Ish-përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës në futboll, Albert Bunjaku, është duke biseduar për kalim te skuadra turke Rizespor, e cila këtë edicion është ngritur në elitën e futbollit turk.
“Agjenti im është në kontakt me Rizesporin dhe këtë mund ta konfirmoj. Kam njohuri të thella për ligën turke, duke kuptuar se ne kishim Kombëtaren e Turqisë në kualifikime dhe unë për dy vjet rregullisht kam udhëtuar drejt Turqisë për t’i përcjellë lojtarët tanë, por edhe kam vizituar klubet turke ku sot kam shumë miq atje siç janë Fatih Terim, Kemal Ozdes e shumë tjerë. Pra, është një kampionat shumë i fortë dhe jo rastësisht është në top 10 të botës”, ka thënë Bunjaki për “Telegrafin”.
“Kam përcjellë ndeshjet e Rizesporit, madje edhe isha në stadium, pasi kisha Vedat Muriqin aty. Rizespor është një klub interesant me traditë të thellë dhe njerëzit atje e duan shumë futbollin. Jam shumë i sigurt se Rizespori për një kohë të shkurtër mund të luajë në Evropë, pse jo. Kam kërkesa të mëdha për vetën dhe lojtarët që do të ushtroj. Përderisa ne besojmë gjithçka mund të realizohet. Për mua është me rëndësi që atje tani është edhe Ujkani që në realitet ishte kapiteni im në Përfaqësuesen e Kosovës, por ka edhe shumë lojtarë të mirë”, ka deklaruar Bunajki.