Bunjaku, MVP i javës 13
Xhiroja e 13-të në Prince Caffe Superligën e Kosovës në basketboll ka dhënë disa duele mjaft interesante. Takimin kryesor e ka fituar Golden Eagle Ylli, që ka mundur Pejën me rezultat 89:73.
Basketbollisti i Përfaqësueses së Kosovës dhe Yllit, Valon Bunjaku, shënoi 22 pikë në këtë ndeshje, kurse e ndihmoi skuadrën edhe me pesë kërcime, katër asistime, me një indeks prej 24.
Kjo nuk është hera e parë që Bunjaku zgjedhet MVP, kurse ka qenë një nga lojtarët më të dalluar të therandasve në këtë edicion, por edhe në atë të kaluar.
Ndërkohë, top pesë lojtarët me indeksin më të lartë në xhiron e 13-të ishin Julian Hamati (28) i Bashkimit, Cody John (26) i Golden Eagle Yllit, Cendrik Council (25) i Vëllaznimit, Daniel Lekndreaj (25) i Sigal Prishtinës dhe Valon Bunjaku (24) i Golden Eagle Yllit.