Bunjaku-Rexhepi: Në Klinikën Emergjente nuk ka karrige për pacientët, pushteti propagandon me rastin Dehari
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Valentina Bunjaku-Rexhepi ka pretenduar se spitalet e Kosovës janë duke u përballur me mungesë të pajisjeve elementare, teksa sipas saj, pushteti i Albin Kurtit vazhdon propagandën me rastin e Astrit Deharit dhe hapjen e urës së Ibrit.
Ajo e ka quajtur Kurtin demagog që ka degraduar gjithçka në Kosovë. “Në Klinikën Emergjente nuk ka karrige për pacientë. Spitalet e Kosovës po përballen me mungesë të pajisjeve elementare, mungesë të barnave esenciale, madje ankesa e fundit e një familjari të pacientit më shkruan se, po mungojnë karriget në Klinikën Emergjente për bartjen e pacientëve, por pushteti i qeverisë Kurti 2 vazhdon me propagandën me rastin e supershfrytëzuar elektoralisht, ‘rastin Dehari’, si dhe me hapjen e Urës së Ibrit”, ka shkruar ajo në “Facebook”.
Bunjaku-Rexhepi ka theksuar se qeveria e drejtuar nga “kryedemagogu” Albin Kurti, ka degraduar shëndetësinë, ekonominë, arsimin, e çdo gjë tjetër.
Po ashtu, ajo ka thënë se Kurti e ka fitur Kosovën në sanksione dhe e ka izoluar në marrëdhëniet diplomatike me Perëndimin. “O kryedemagog, pajisi spitalet me gjërat esenciale! Dorëzohu dhe ik në shtëpi, se nuk je për qeverisje! Nuk mbahet shteti me rima poetike e patetike!”, ka shkruar deputetja e LDK-së.