Bunjaku-Rexhepi: S’i kemi votat për ta rrëzuar qeverinë, ani pse duam
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku-Rexhepi, ka thënë se megjithëse duan dhe janë duke punuar në atë drejtim, nuk i kanë votat për ta rrëzuar qeverinë që drejtohet nga Ramush Haradinaj.
“Ne nuk i kemi votat për ta rrëzuar qeverinë. LDK-ja i ka 27 deputetë të nënshkruar dhe kurdo që t’i vijë mundësia do ta rrëzojë qeverinë. Ne jemi opozitë konstruktive, por obligim s’e kemi për t’ia bërë votat qeverisë”, ka thënë Bunjaku-Rexhepi.
Në “Info Magazine” të “Klan Kosovës” ajo ka folur për refuzimin e opozitës që t’i votojë marrëveshjet ndërkombëtare, më konkretisht për 49 milionë eurot e Instrumentit të Para Anëtarësimit, duke nënvizuar se nuk e kanë për detyrë dhe se ishte kryetari i kuvendit Kadri Veseli ai që i irritoi dhe i shtyu të revoltohen.
“Opozita mendon ndryshe nga pozita. Disa marrëveshje ndërkombëtare i kemi votuar, vec këtyre të fundit. Ne nuk e dimë pse qeveria po shpreson në vota të deputetëve të opozitës. Dy marrëveshjet e fundit ndërkombëtare nuk i kemi votuar për ta vetëdijesuar pozitën që t’i ketë deputetët në seancë”, ka potencuar ajo.
“Shpesh po ka më shumë deputetë të opozitës në sallë të kuvendit, sesa të pozitës. Pozita ka shumë shefa, por deputetët s’po i sjellin në sallë. Kam pasur shpresë tek Kadri Veseli, sepse atij i frikësohen pak, por as ai nuk po kryen punë”, ka shtuar Rexhepi.
“Ndodhë që deputetët e pozitës të jenë në kafene dhe të mos vijnë për të votuar. Kështu po e vënë në pozitë të vështirë edhe shefin e tyre”, përfundoi ajo.