Burg pa grila

20 janar 2021 | 09:29

Bekim Muhaxheri

 

Burg pa grila

 

Ëndrrat tona le të dalin jashtë

Si flutura të bardha

Le të takohen,

Le të bëjnë plane,

Pasi ne nuk mundemi.

Le të ecin dorë për dore

Si unë e ti dikur,

Tërësisht të lira,

Plot jetë e ngjyra,

Sepse ne kemi mbetur mbyllur

Dhe larg njëri-tjetrit

Pa e ditur sa do të zgjasë

Kërcënimi për jetën.

Kur të dalim

Ëndrrat tona do të bëhen lule e zogj,

Ndërsa ne do të vrapojmë pas tyre

Si fëmijë

 

Shtyrje

 

Gjithnjë po na mbetet

Ta jetojmë jetën

Një herë tjetër…

 

Vertikale

 

Gjergj Elez Alia nuk ishte asgjë

Përballë teje

Ai qëndroi nëntë vjet në shtrat

Duke mërzitur përditë motrën

Derisa u ngrit dhe vrau bajlozin

Ti nuk e shkele as edhe një buburrec

Gjysmë shekulli i lidhur

Për karron me rrota

Kalin tënd

Asnjëherë nuk kërkove manaferra në dimër

As shpëtim te vdekja,

Bota tjetër

Por vetëm te buzëqeshja, fjalët e mira

Kurrë nuk u ngrite në këmbë

Por askush nuk jetoi

Më vertikalisht se ti

 

Afërsi

 

Vdekjen tash nuk e kemi

Më afër se këmishën.

Ajo mund të jetë

Në anën tjetër të maskës

Duke përgjuar

Frymëmarrjet tona

 

Shije e hidhur 

 

Nëna pinte tableta kundër tensionit të lartë

Thoshte se më së miri mund ta shihje

Si shkon jeta

Nëse vëren kutitë e zbrazura të barnave

Që hedh në shportë.

Në jetën tonë dramatike nuk mund të kishe

Kurrë tension normal

Se ditët të linin shije të hidhur

E duhej shtyrë e përpirë

Me një gotë ujë

Për të të mos mbetur në fyt

Dhe secila prej tyre

Ta dëmtonte nga pak zemrën.

A do të vijë ndonjëherë koha

Kur ditët do t’i numërojmë

Me kavanozat e harxhuar të mjaltit

Apo këtë do ta provojmë

Vetëm në parajsë?!

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
62 pacientë me COVID-19 janë duke u trajtuar aktualisht në…