Burgim i përjetshëm për sulmuesin e sinagogës në Gjermani
Një gjykatë në Gjermani ka dënuar me burgim të përjetshëm një person, që kishte sulmuar një sinagogë të qytetit Halle, vitin e kaluar.
Stephan Balliet, 28 vjeç, kishte qëlluar dhe vrarë një kalimtare dhe një burrë në një dyqan qebapësh, pasi kishte dështuar të hynte në sinagogë, më 9 tetor të vitit 2019.
Në kohën e sulmit, 52 hebrenj ndodheshin në sinagogë, duke shënuar festën Yom Kippur.
Balliet nuk ka shprehur pendim për sulmin.
Gjatë gjykimit pesëmujor, ai e mohoi Holokaustin, gjë që është vepër penale në Gjermani.
“Sulmi ndaj sinagogës nuk ishte gabim, ata janë armiqtë e mi”, ka thënë Balliet.
Ai ka pasur veshje ushtarake në ditën e sulmit dhe i ka filmuar të shtënat, duke i transmetuar edhe në internet.
Krimet kundër hebrenjve kanë shënuar rritje të vazhdueshme në Gjermani në vitet e fundit, ndërsa autoritetet gjermane janë zotuar se do t’i rrisin masat kundër ekstremizmit të djathtë.