Burgim për ish-inspektorët e komunës së Prishtinës
Ish-inspektorët e komunës së Prishtinës janë shpallur fajtorë nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
Shefi i sektorit, Ismet Haliti, është dënuar me 3 vjet e 6 muaj burgim, për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe me 1000 euro gjobë për armëmbajtje pa leje.
Në aktgjykimin e shpallur nga kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra, Ismet Halitit i konfiskohen veturat dhe para në shumën prej 11 mijë eurosh si dhe pistoleta.
Ekzekutuesi, Skënder Canolli, është shpallur fajtor për keqpërdorim të pozitës zyrtare si dhe armëmbajtje pa leje, i cili është dënuar me 2 vjet e 6 muaj burgim si dhe me 1 mijë euro gjobë për armëmbajtje pa leje.
Skender Canollit, po ashtu i konfiskohet, makina e tipit “Passat” dhe 10 mijë franga zvicerane.
Inspektorja Blerina Syla është dënuar me dy vjet burgim për keqpërdorim të pozitës zyrtare, Vehbi Abdullahu, gjithashtu më dy vjet burgim, Blerim Ibishi me dy vjet, Mergim Shala, me dy vjet dhe gjithashtu i konfiskohet banesa në lagjen “Kalabria”, derisa Drita Rukiqi është dënuar me 1 vit e 6 muaj, Arbenita Ajeti 1 vit e 6 muaj, Ardian Muhadri me 1 vit burgim, Granit Cenaj 1 vit burgim.
Kurse, afaristi Qemajl Pozhegu, është dënuar me 20 mijë euro gjobë për falsifikim të dokumenteve.
Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK) pretendon se të pandehurit Ismet Haliti, Skender Canolli, Blerina Syla, Vehbi Abdullahu, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mërgim Shala, Granit Cenaj dhe Drita Rukiqi, në pozitën e inspektorëve të ndërtimit në komunën e Prishtinës, gjatë periudhës kohore 2010 – 2014, nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare sipas ligjit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Të njëjtit akuzohen se nuk i kanë parandaluar ndërtimet kundërligjore ndaj objekteve të investitorëve Isen Sadiku nga kompania “Hysi Group”, Ymer Veliu “Naki Trade”, Arbër Kryeziu “Al Petrol”, Bedri Prishtina “Tregtia”, Shefik Rexhepi “Euro Abi”, Azem Rusinovci “Reforma”, Bejtush Gashi “VG Construction” dhe Fisnik Morina nga kompania “ART Group”.
Të njëjtit supozohet se nuk i kanë ekzekutuar vendimet e Inspektoratit për rrënimin e këtyre objekteve.