Burgim të përjetshëm burrit nga Kamenica që me shufër vrau bashkëshorten
04 dhjetor 2020
| 13:27
Gjykata Themelore në Gjilan ka dënuar të premten me burgim të përjetshëm burrin që në korrik të këtij viti kishte vrarë bashkëshorten e tij duke e goditur me shufër.
Nuhi Mavroqani më 25 korrik kishte goditur për vdekje bashkëshorten, Sabilen, në shtëpinë e tyre në fshatin Berivojcë të Kamenicës.
Sipas aktakuzës, tragjedia ndodhi pas një mosmarrëveshjeje mes bashkëshortëve në shtëpinë e tyre. Sipas prokurorisë, Nuhiu me dashje ka vrarë gruan e tij me shufër metalike të një gjatësie 73 centimetra dhe të një trashësie 2.2 centimetra.
Edhe pasi e ndjera kishte rënë në tokë, sipas aktakuzës, Nuhiu kishte vazhduar ta godiste me shufër në kokë dhe në pjesë të tjera të trupit duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse.