Burgosjet dhe dënimet vazhdonin (6)
Kumtesë e Konferencës shkencore e organizuar nga Instituti i Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë / “Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë dhe vendimet politike të Beogradit sipas dokumenteve arkivore në Arkivin e Kosovës”
Prof. ma. Adem Ademi
Më 5 prill 1981 në Beograd mblidhet Shtabi i Lartë Ushtarak për ta shqyrtuar situatën politike të sigurisë në Kosovë pas hyrjes së trupave policore-ushtarake në Kosovë. Përfaqësuesit politikë nga Kosova, Fadil Hoxha, Mahmut Bakalli dhe Xhavit Nimani, paraqitën raporte të hollësishme të ndryshme gjatë realizimit të planit “Rubin” në Kosovë. Ndër të tjera, Mahmut Bakalli paraqiti edhe të dhënat se: “Bilanci i demonstratave për dy ditë është mjaft i rëndë. Janë lënduar 258 persona, nga ata 119 policë dhe pjesëmarrës në demonstrata, por dikush mund të jetë mospjesëmarrës i demonstratave 139. Janë të lënduar rëndë 9 policë kurse 12 qytetarë. Nga të lënduarit është një polic i plagosur nga arma e zjarrit, kurse nga qytetarët e lënduar rëndë kryesisht janë të plagosur nga armët e zjarrit. Nga ata një fëmijë. Të Lënduarit rëndë janë në gjendje të rëndë. Sipas vlerësimeve tona, mbrëmë kemi biseduar me Franjo Hrleviqin, ka pas shkelje individuale të autorizimeve nga policia. Policia kishte arritur të burgoste një numër të qytetarëve. Kemi sjell rreth 400 personave, nga të cilët 150-200 janë ndal në burg. Shërbimi Shtetëror për Siguri në bazë të planit për parandalimin e menaxhimit të situatës së krizës i dërgoi në izolim 41 persona”. Sipas dëshmisë së një të burgosuri politik, “vetëm në burgun e Lipjanit kemi qenë një numër shumë i madh intelektualësh në izolim”.
Duke u bazuar në masivizimin e demonstratave, shtrirjen e tyre në shumicën e komunave, barrikadimin e qytetarëve përball forcave policore-ushtarake, përkrahja e demonstratave nga shtresa të ndryshme qytetare nxënës, studentë, klasa punëtore dhe qytetarë, udhëheqja kosovare kishte krijuar opinion se: Demonstratat mund të marrin kahen e lëvizjes popullore.
Të nesërmen në organizimin e konferencës për shtyp në qendrën Sava në Beograd, zyrtari i lartë federativ Stane Dollancë doli para 90 gazetarëve vendorë dhe ndërkombëtarë për të informuar lidhur me zhvillimin e ngjarjeve të zhvilluara në Kosovë. Dollancë i paraqiti të njëjtat të dhëna për 9 persona të vdekur sikur që kishte raportuar zyrtari Kosovar dhe Hrleviq në mbledhjen e Komandës së Lartë Ushtarake, por Dollanuk potencoi vrasjen e fëmijës në Kosovë para gazetarëve ndërkombëtarë.
Në Kosovë më 17 prill u organizua ardhja e 57 gazetarëve ndërkombëtar nën mbikëqyrjen e rreptë të policisë jugosllave. Qytetarët e Kosovës gjendeshin në rrethana të jashtëzakonshme, zbatohej ora policore, qytetet ishin të boshatisura, censura ushtarake krijonte një atmosferë edhe më të rëndë. Pas ardhjes së gazetarëve ndërkombëtarë në Prishtinë, ata tregonin interesim të madh për marrjen e informacioneve nga dora e parë nga vendi i ngjarjes, por edhe të takonin qytetarë në cilësinë e dëshmitarëve që kishin përjetuar llahtarinë gjatë ndërhyrjes së forcave policore ushtarake. Në konferencën për shtyp me gazetarët ndërkombëtarë foli Kryetari i KK të LK të Kosovës Mahmut Bakalli. Bakalli kësaj radhe pos të dhënave tjera, theksoi numrin e 8 personave të vdekur. Paraqiti të dhënat për një person të vdekur më pak nga paraqitja e raportit zyrtar në Shtabin e Lartë Ushtarak. Gazetarët e dëgjuan paraqitjen e Bakallit deri në fund, por nuk besonin në shifrat e paraqitura. “Gjatë udhëtimit për në Pejë isha i ulur në një ulëse afër Kristina Von Kohl – Libal – it. Ajo mu drejtua se nuk është fare e kënaqur me përgjigjet e Mahmut Bakallit dhe se ai po e fsheh të vërtetën, sepse janë më shumë të vrarë dhe të burgosur se sa u fol para gazetarëve të huaj. Gjatë kohës së konferencës, disa gazetarë dhe kameramanë tentuan të dalin jashtë sallës së konferencës që të filmonin pamjet nga Prishtina. Por u penguan nga zyrtarët shtetërorë që po i shoqëronin gazetarët. Kameramanët tentuan të kapnin imazhe edhe nga dritarja, por u pengun prapë. Pengimin e filmimit të pamjeve nga kryeqyteti, gazetarët e quanin “ekces që do t’i kushtojë shtetit jugosllav”. Shtypi ndërkombëtar kishte publikuar shifra më të mëdha të bilancit tragjik të demonstratave në Kosovë.
Në muajin maj Sekretariati Federativ kishte paraqitur të dhëna më të zgjeruara. “Nga 11 marsi deri më 10 prill janë marrë masa ndaj 1 500 personave; 460 janë dënuar penalisht, kundër 90 personave është nisur procedura penale, 160 janë izoluar sipas bazave të ndryshme, 743 janë sjell në paraburgim, është biseduar me ta, u është tërheq vërejtja dhe janë liruar. Një muaj pas demonstratave janë paraburgos në bazë të ndryshme: më së shumti për vuajtje dënimi për kundërvajtje deri në 60 ditë, pastaj për shkak të procedurës penale dhe izolimi.
Nga procedurat gjyqësore dhe dënimet nuk u kursyen as të miturit shqiptarë. “Në procedurat gjyqësore drejtpërdrejt nga demonstratat një numër i të miturve u dënuan penalisht me dënim me burg deri 60 ditë, për shkak të shkrimeve të parullave dhe pjesëmarrje në demonstratë”.
Gjatë zbatimit të gjendjes së jashtëzakonshme dhe të orës policore, pushteti kishte shfrytëzuar këtë periudhë për burgosjen e një numri të madh të shqiptarëve. Shifrat rriteshin për çdo ditë e për çdo muaj. “Në periudhën e kaluar janë marr masa represive dhe preventive me të cilat janë përfshirë 1 700 persona. Sipas ligjit për kundërvajtje deri tani janë dënuar 506 persona, për atë se: për shkak të pjesëmarrjes në demonstratë – 287; për shkak të ofrimit të përkrahjes së demonstratave – 38; për shkak të tentimit të organizimit të demonstratave – 31; autor të parullave armiqësore – 46; dhe për shkak të paraqitjeve armiqësore – 104. Ka nis procedura penale ndaj 154 personave. Në mesin e tyre janë 39 përfaqësues të organizatave ilegale; 29 janë organizatorë indirekt të demonstratave”.
Burgosjet dhe dënimet vazhdonin. “Deri më tani janë gjykuar 262 persona, kurse në vazhdim është procedura penale ndaj 92 personave. Për shkak të veprimtarisë armiqësore nga pozicionet e irredentizmit dhe nacionalizmit janë dënuar 800 persona për kundërvajtje”.
Në mesin e të dënuarve më së shumti kishte: “61 studentë, punëtorë 55, nxënës 44, punëtorë arsimorë 32, bujq 16, gazetarë, juristë dhe intelektualë të tjerë 14, dhe të pa punë 10. Disa prej të dënuarve prej tyre 16, gjatë gjykimit përsërit ëndërrimet e tyre, kërkuan që Kosova të bëhet Republikë.
Dënimet ishin të larta deri në 15 vjet burgim. Dënimi mesatar arrinte 5.9 vjet. Shumica e të dënuarve ishin më të rinj se 25 vjeç.
Ndjekjet politike ndaj shqiptarëve realizoheshin edhe në ushtri: “Në APJ deri në fund të qershorit u zbuluan rreth 29 çeli në të cilën ishin përfshi më shumë se 150 ushtarë shqiptarë”.
Procesi i gjykimeve politike të shqiptarëve vazhdonte pandërprerë dhe shtrihej në shumë qytete të Kosovës, në trojet shqiptare të ish-Jugosllavisë. Gjykimet ndaj shqiptarëve shtriheshin në tërë hapësirën e Jugosllavisë. Përkundër ofensivës politike dhe dënimeve drakonike nga pushteti totalitar, rezistenca dhe aktiviteti i ilegales shqiptare nuk ndalonte veprimtarinë e saj politike dhe propagandistike.
(Vijon. Fusnotat i ka hequr redaksia)