Burgu i Nishit ndryshe nga i pari…‘Ende jam gjallë’
Rrëfime nga i burgosuri e i mbijetuari i masakrës në burgun e Dubravës, Nait Hasani.
Tashmë dita e nesërme e pranverës na zbardhi në burgun e Nishit. Në mëngjes gardiani hyri nëpër dhoma për të na numëruar në secilën dhomë. Pas numërimit, secili duke i kryer nevojat e tualetit, dikush lante sytë e dhëmbët, dikush priste në rend, deri kur erdhi mëngjesi te dera e hekurt. Morëm mëngjesin, racion i zakonshëm: çaj e një pjesë bukë me marmelata. U ulëm me një qoshe me ulëse me karrige dhe një TV që e kishin lëshuar me mëngjes me programe të RTS-së.
Në dhomë ishin Isak Hoti e Vehbi Muharremi dhe Naim Lushi, të tre të burgosurit që ishin nxënë me uniforma. Njëri nga Qyshku i Pejës që ishte nxënë gueril në Pejë e këta në vijën e frontit të UÇK-së në Bellacerkë në rrethin e Rahovecit në mbrojtje të Rahovecit nga forcat e policisë dhe ushtrisë serbe të korrikut të vitit 1998. Të tre të përgatitur për jetë a vdekje për lirinë dhe çlirimin e Kosovës. Të tre ishin lexues e intelektual. Të tjerë kishte plot njëjtë si ne, por pak lexonin. Më shumë luanin shah e domino dhe shikonin TV me programe e muzikë të huaj. Shpesh vinin të burgosurit të më pyesin se si jam. Kishin dëgjuar emrin tim dhe nga kureshtja kishin dëshirë të rrinin me mua.
Me Besimi që ishte në dhomën tjetër, e jo në dhomën time, sepse mua më ra të vendosem në dhomën numër 17, në atë mëngjes u ulëm duke biseduar për gjërat dhe njerëzit tanë. Pyetnim njëri-tjetrin për shokët, për të rënët dhe për gjithçka. Këtu kishin qenë shumë të burgosur tjerë; Asllan Selimi, vëllai i Rexhep Selimit, Demir Limaj, vëllai i Fatmir Limajt, Hajdin Rama, Bislim Zogaj, Sadik Zeqiri, Isak Shabani etj. Këtu të burgosurit kishin pasur komunikim me familjet e tyre përmes vizitave dhe përmes telefonave në të zezë që mbanin në dhoma. Në mëngjes u duk mirë, thuaja të gjithë dolëm në shëtitje në oborr, i cili ishte mjaft i madh. Ky oborr kishte një fushë futbolli dhe një fushë basketbolli. Dikush luante me top, dikush shëtiste, dikush bënte biseda për një orë e më shumë sa zgjaste pushimi dhe shëtitja.
Në shëtitje isha me Besimin e Isakun, Vehbiun e Naimin. Bisedonim për gjëra të përditshme dhe për jetën familjare. Kuptova nga bisedat se të burgosurit ishin të ndarë për bindje politike e nuk flisnin mes veti. Shkaktari kryesor ishte sepse disa që nuk kishin angazhime dhe as nuk lexonin atëherë kishin kohë për t’u konfrontuar. Disa shprehnin mllefin pse po qëndrojnë në burg. Pse askush nuk po bënë më shumë për lirinë e të burgosurve. Mendonin se çdo gjë është e varur nga institucionet tona. Nuk e kuptonin se ishin peng politik. Në këtë gjendje erdhi pasditja dhe mbrëmja, ku erdhi koha e darkës dhe u ulëm për të shikuar TV-në. Pasi u mbyll dera e hekurt, i nxorën telefonat dhe filluan të flasin me familjarët e shokët e tyre në Kosovë. Herë njëri e herë tjetri qeshnin duke biseduar në telefona dhe bërtisnin. Askush nga këta nuk e kuptonin vetën pse mllefoseshin se nuk e kuptonin pengmarrjen. Po pasi kishim TV, më shumë më interesonte të dëgjoja lajme, por shumë herë TV-ja kishte muzikë e filma, që i shikonin të burgosurit shqiptarë. Fatkeqësisht nuk shikonim lajme për të parë e kuptuar se çfarë po ndodh nga zhvillimet që bëheshin jashtë në Kosovë e Serbi. Dhe ato pak lajme që i dëgjonim në lajmet e mbrëmjes, RTS jepte lajme zi e terr për Kosovën dhe për shqiptarët në rajon.
Kështu kalonin ditët në burgun e Nishit…
Së bashku me Naim Lushin shkruanim poezi dhe lexonim libra të ndryshme e gazeta. Disa i përcillnim jashtë, me letra në shkrim, të ndarë me presje si lexim, pra për të mos u kuptuar se janë poezi. Kisha shkruar nga burgu i Mitrovicës së Sremit, Beogradit dhe Nishit, ndërsa disa na kanë mbetur në burgun e Dubravës me rrobat që i lamë aty. Në këto poezi trajtonim tema për dëshmorët, për luftën, për jetën, për gjendjen aktuale dhe për shumë procese që zhvilloheshin në Kosovë, por mos të harrojmë se shkruanim edhe për burgun.
Një mëngjes sapo u zgjuam, shkuam në banjë për higjienë së bashku me Isakun. Sapo i kam pastruar sytë, nuk di, kisha mbetur pa ndjenja, më kishte kapë Isaku dhe nuk më kishte lënë të bie me kokë në pllaka të banjës. Shokët më kishin sjellë në dhomë, ashtu pa vetëdije. Pas pak ndjeja një molisje por pastaj e mora vetën. Ditët ecnin dhe ne vazhdonim me ritmin e ditëve të zakonshme të burgut.
Thuajse për çdo natë pasi u mbyllte dera e hekurt, të burgosurit folshin me telefona me familjarët në Kosovë. Dhe pasi merrnin informata për situatën politike atje, atëherë vërehej një nervozë tek ta. Një dite kuptova kur filluan duke sharë drejtuesit politikë, herë të atij grupi, apo të këtij grupi. Kjo tregonte se partitë kishin hyrë në burg dhe bërë ndarjen e të burgosurve. Kjo situatë ishte mjerim. Serbia na kishte marrë peng si shqiptar e jo si parti. Por fatkeqësisht si çdo herë edhe kësaj radhe nga Kosova partitë përmes familjarëve kishin arritur t’i ndajnë nëpër burgje të burgosurit. Për mua ishte me rëndësi të kuptojmë se jemi si shqiptar nëpër burgje.
Kështu në këso lloj nervoze edhe gardianët i hetonin britmat dhe bënin kontrolle nëpër dhoma për të hasur në gjësende të palejuara. Kujt i zënin gjësende apo telefona kishte dhjetë ditë trajtimin me të gjitha specialitetet e dhunës në ‘Shtëpinë e Bardhë’, kështu i thoshin asaj shtëpie (qeli) ku kishte vetmi. Pra, i burgosuri ishte vetëm pa asnjë të drejtë, e vazhdohej të përdorej dhuna ndaj tij. Një të tillë ia zunë Isakut, i cili pati fatin të qëndrojë atje në pushimoren e shtëpisë së bardhë për dhjetë ditë.
Në burgje nuk kishte lëvizje. Pos vizitave të familjareve që vinin një herë në muaj dhe gazetat që mi përcillnin nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut në Preshevë. Vizitat ishin në grupe dhe po ashtu në grupe dilnim. Kishim mundësi edhe me familje tjera të takoheshim sa për të ndërruar ndonjë llaf. Mua më erdhi nëna. Asaj i kishin ndihmuar disa familje të shokëve që të vijë te unë për vizitë, sepse nëna ishte në moshë dhe shokët i kishin ndihmuar që të pushoj në Preshevë e Bujanoc. Unë u gëzova shumë kur më erdhi nëna në Nish. Ajo më tregonte se si ka kaluar në Preshevë e për shumë gjëra tjera. si dhe për porositë e shokëve. Nëna me pyeste edhe për shokët në burg, donte të dinte si janë me shëndet.
Një ditë ndodh befasia. Në telefonin e Isakut që e mbante në të zezë, thërrasin drejtuesit politikë të Kosovës. Interesohen për mua dhe Isaku ma sjell telefonin që të flas me ta. Bisedoj me ta, për gjendjen e shëndetin e tyre. Pastaj më thërret në telefon komandant ‘Plaku’, Xheladin Gashi. Vërehej nga zëri që kishte emocione, sepse me të kisha qenë ditën e fundit kur më arrestuan. Ai me tregoi për gjendjen në mënyrë më reale se të tjerët dhe pa modifikime politike. Kam folur disa herë edhe me Rexhep Selimin, me të ishim bashk në çdo vend në fillet e themelimit të UÇK-së deri në arrestimin tim por kam biseduar edhe me tjerë. Me Rexhën u sqaruam për botimin e librit tim me poezi. Për titullin dhe për thënien në fund të librit. Për redaktorin kush është, e ai ishte dr. Agim Vinca, profesor në Fakultetin Filologjik dhe ishte me emër në letrat shqipe. Vinca ishte njeri meritor dhe gëzonte respekt në vargun e tij.
Në vizitat e radhës nëna ishte me shumë e gëzuar, kishte marrë shpresa më shumë, sepse ishte takuar me shumë njerëz së bashku me babën në dasmën e Asllan Selimit.
Asllani ishte shoku im dhe vëllai i Rexhës, djali i Destan Selimit dhe i nënës Sofie. Prindër të jashtëzakonshëm e të pjekur, sepse i kishte pjekur gurbeti dhe vuajtja. Nëna në këtë dasëm të Asllanit që martohej me Iliren, vajzën e Rifat Jasharit, vëllait të Adem Jasharit, tregonte se ishte dasëm e madhe dhe kishte pasur shumë njerëz. Asllani ishte fejuar para se të bie në burg, pra fejesa ishte bërë me bekimin e Adem e Hamzë Jasharit. Ishte një miqësi e një lufte të përbashkët për liri. Ajo sipas fjalëve e të thënave se shpejt do të dalim nga burgu ishte për të disponim e gëzim i veçantë. Por nëna nuk e kuptonte se ne ishim peng dhe Serbia donte të arrinte qëllimet e saj përmes nesh që ishim në burgje. Serbia neve na mbante pengje si në kohën e skllavopronarisë, që të na shiste tek faktori ndërkombëtar me çmim të shtrenjtë.
Kështu që ne ishim në pritje të blerësit politik dhe financiar. Po ashtu nëna më tregoi se e kanë botuar librin tënd me vjersha. Libri është botuar në Prishtine dhe ka pasur shumë njerëz kur u bë promovimi. “Salla nuk i ka nxënë”, thoshte nëna. Bile edhe dritat janë ndal nja tre minuta dhe Ramush Haradinaj ka fol ashtu nëpër terr, duke thënë: “Naiti përditë e ka terr atje me të burgosur, e ne s’po kemi durim me ndjetë pesë minuta në terr”. Libri kishte dalë me poezi “Ende jam gjallë” me fotografi timen pas hekurave. Këtë foto e kisha bërë te fotografisti Vebiu, te ‘Tre sheshirat’.
Për muaj të tërë në Kuvendin e Serbisë flitej për të burgosurit shqiptarë që të lirohen kështu mendonte pozita ndërsa opozita ngulte këmbë që të burgosurit shqiptarë duhet me ndenjtë nëpër burgje në vuajtje të dënimit.
Në një mesditë më thërret një gardian, eja ke vizitë, nuk dija se çka po ndodhte, sepse ishte dite pune dhe vizita ishte befasi. Unë para, e gardiani pas meje, shkuam në një korridor dhe u hap dera. Aty ishte Natasha Kandiq. U përshëndetëm. Ishim takuar dhe herëve tjera në Beograd. Ajo u interesua për kushtet tona aty. Për dënimet, për trajtimin, për vizitat e familjes dhe personalisht u interesuar për mua se a po më maltretojnë. Aty qëndruam rreth një orë dhe ajo po ashtu tregoi se janë duke u bërë përpjekje për lirimin e të burgosurve shqiptarë. Natasha tha se juve iu kanë marrë pengje. Dhe për këtë arsye po shpresojmë se do të arrijmë të bëjmë kthimin e të burgosurve shqiptarë në Kosovë. Pas përfundimit të takimit me të, më kthyen në dhomë. Unë nga ajo kohë më asnjëherë nuk e kam takuar Natasha Kandiqin, dhe tani ia jepi një falënderim të veçantë për kontributin e dhënë së bashku me ekipin e saj në Fondin për të Drejtat Humanitare, për të burgosurit shqiptarë që ka dhënë në atë kohë krizash e tmerresh.
Pasi u ktheva në dhomë, biseduam me Naimin, Isakun, Vehbiun e disa tjerë. Atyre u tregova për bisedën me Natashen, dhe për angazhimin që po bëhet për lirimin tonë, ashti siç më tha jo. Tashmë ishim mësuar më rutinën e zakonshme në burgje, vazhduan vajtjet dhe ardhjet e të burgosurve nga burgjet tjera dhe nëpër burgje tjera. Në një mbrëmje në burg vjen një bashkëvendës i imi, Hasan Ferati. Sa u gëzova kur e pash, por njëkohësisht sa mu dhimbtë që edhe ai ishte në burgje. Por ai ishte i fortë dhe për të fortë e njihnin të gjithë në fshatin tonë. Ai ishte nxënë rob lufte e djali ju kishte vra. I ri ishte Masar Ferati, që bashkë me shumë bashkëvendësit të mij, kishin marrë pushkët dhe kishin dalë për të luftuar nën emblemën e UÇK-së. Po ashtu Hasani tregonte për periudhën sa ishte edhe ai atje se i gjithë fshati ishte inkuadruar në luftë, dhe se fshati ynë kishte një pozitë shumë të mirë strategjike dhe ishte mundësia ideale e lidhjes me fshatrat tjera malore. Ai tregonte për betejat ku janë bërë në hyrje të fshati, në male etj. Hasani më thoshte se të rinjtë kur dëshironin të merrnin ndonjë aksion thoshin se këtë po e bëjmë për Nait Hasanin. Ta dijë edhe Naiti se ne luftëtarët po luftojmë në emër të tij, kishin thënë djemtë e fshatit tim e luftëtarët e Lirisë.
Unë sa ndjeja gëzim sa dhimbje për ta e familjarët e tyre. Por e dija se liria ka çmim. Por ka edhe vuajtje njëshekullore. Dhe të rënët për liri janë dëshmorë të atdheut. Kështu kalonim dhe ndejat me Hasanin duke kujtuar fshatin dhe njerëzit e dashur e punëtorë të tij. Fshati im ka dhënë 22 dëshmorë të rënë në fushëbeteja të Kosovës nën emblemën e UÇK-së dhe 22 viktima civile, gra e pleq dhe familjarë nga bombardimet e forcave serbe dhe shtëpitë janë djegur e bërë shkrumb e hi. (Vazhdon…