Burim Piraj: Në dhjetor e janar kemi pasur më së shumti kërkesa për punësim
Kompania “Meka”, s’ka pasur kurrë më shumë kërkesa për punësim se në muajin dhjetor dhe tani në muajin janar”, deklaroi kështu pronari i kësaj kompanie, Burim Piraj.
Duke diskutuar rreth çështjes se a rrezikon Kosova të mbetet pa fuqi punëtore, Piraj njoftoi se që nga heqja e vizave më 1 janar, në kompaninë e tij ka ndodhur vetëm një rast ku një person ka shprehur dëshirë të largohet nga puna.
“Që nga fillimi i vitit, ne e kemi pasur vetëm një rast të vetëm që ka dashur të largohet nga puna. Ne si kompani, s’kemi pasur kurrë më shumë kërkesa për punësim si në muajin dhjetor dhe në këtë muaj. Në dhjetor tek ne filloi kërkesa e madhe për punësim, e tani po vazhdon edhe në janar, mirëpo ne s’kemi nevojë për punësim, sepse i kemi punëtorët ekzistues”, deklaroi Piraj në emisionin “Këndi i Debatit”.
Po ashtu, Piraj vlerësoi që s’ka tretman të mirë të punëtorëve në Kosovë.
“S’ka tretman të mirë të punëtorëve në Kosovë. Unë përherë kam bërë thirrje për ata punëtorë që s’kanë tretman të mirë, të cilët s’kanë paga të mira, të mos punojnë fare. Lirisht le ta lëshojnë punën, sepse më mirë është të mos punosh, se të punosh në një vend ku nënçmohesh”, shtoi tutje Piraj në Tëvë1.
Megjithatë, Piraj tha se pa marrë parasysh opinioneve të shumta se do të shpërngulet fuqia punëtore, përsëri s’dihet se çka do të ndodhë.