Burim Ramadani: Ministrat dhe zëvendësministrat të kalojnë nëpër verifikim të sigurisë
Zëvendësministri në largim i Mbrojtjes, Burim Ramadani, ka thënë se ministrat dhe zëvendësministrat duhet të kalojnë nëpër verifikim të sigurisë.
“Do të doja që ministrat dhe zëvendësministrat, dhe jo vetëm të Qeverisë që krijohet pas këtyre zgjedhjeve, por gjithmonë t’i nënshtrohen verifikimit të sigurisë. Si zëvendësministër iu nënshtrova verifikimit të sigurisë. Pra, ‘vetting’-ut që po i referohemi kryesisht në publik. Po, verifikimi i sigurisë është proceduralisht e përmbajtësisht krejt i njëjtë me vettingun”, ka theksuar Ramadani.
Ai ka shtuar se në janar të vitit 2019, pas procesit disa muajsh të kontrollit mbi të dhe familjen e tij, i është dhënë drita e gjelbër që e kaluara dhe e tashmja e tij dhe e familjes është në rregull në të gjitha dimensionet.
“Iu nënshtrova, sepse besoj në thelbin e sundimit të ligjit. Besoj në konceptin e sigurisë shtetërore. Besoj në domosdoshmërinë që të emëruarit politik të dihet kush janë, çfarë të kaluare kanë, çka bëjnë sot, çfarë pasurie saktësisht kanë, çfarë transaksione bankare kanë bërë për më shumë se një dekadë, me kënd shoqërohen dhe çka mendojnë fqinjët. Unë do të angazhohem 100 për qind që verifikimi i sigurisë të ndodh për të gjithë zyrtarët e shtetit, ashtu sikurse e parasheh Ligji për Klasifikim të Informacionit dhe Verifikim të Sigurisë”, ka thënë Ramadani.
Ligji parasheh që vetëm tre zyrtarë të shtetit, presidenti, kryetari i Kuvendit dhe kryeministri nuk e kanë të domosdoshme të kalojnë verifikimin e sigurisë.
/Epoka e re/