BURIMET E DHUNËS NDAJ GRAVE
Milazim KRASNIQI
Dhuna fizike dhe psikike ndaj grave ndër ne shqiptarët, duke përfshirë edhe vrasjet më barbare, siç ishte edhe vrasja e Marigona Osmanit në Ferizaj, është si sëmundje kronike së cilës nuk i është gjendur terapia. Është e hidhur ta thuash, por e vërtetë që kjo është si një sëmundje kronike, e cila i ka rrënjët thellë në trashëgiminë tonë primitive, prej së cilës nuk jemi çliruar kurrë plotësisht. Trashëgimia primitive mbijeton dhe ndikon në një komunitet a shoqëri të friksuar, të paqëndrueshme e me institucione të dobëta, ngase në atë rast u shërben grupeve më të forta, që praktikisht imponojnë diskursin dominant dhe më tutje marrin në dorë ligjin.
Shikojeni këtë tabllo tragjike të trashëgimisë sonë primitive, ku femra shqiptare ka qenë objekt dhe cak dhune, poshtërimi, diskriminimi dhe krimi, trashëgimi që ndonëse e denoncuar si primitive dhe barbare, në forma okulte e bizare ende mbahet në veprim. Fjala vjen, në Kanun gruaja është një objekt shitje-blerjeje, pra shitej me para, blihej me para. Ajo nuk kishte asnjë të drejtë, madje as të zgjidhte rrobet e veta për nusëri. Nuk kishte të drejtë në trashëgiminë në familjen e burrit (përveç kur mbetej e vejë me fëmijë të vegjël, në atë rast mund ta administronte atë pasuri derisa fëmijët të rriteshin.) Nuk kishte trashëgimi as te prindërit. Vlera e saj përmendej vetëm kur lindte djem (jo vajza!) Nëse nuk lindte djem, burri mund të merrte edhe një grua tjetër. Sigurisht gruaja vlerësohej edhe kur kryente punë të rënda fizike, në vend të meshkujve, kur ata ishin të ngujuar, shkaku i gjakmarrjes. Kur e nisnin nuse, dhëndërrit ia dërgonin një plumb, me të drejtën që ta vriste, nëse nuk ishte e virgjër! (Ndërsa e virgjër mund të mos ishte nga rreziku se mund të ishte në adoleshencë e dhunuar nga ndonjë kapadai brenda ose jashtë fisit.) Nëse e rrihte burri, pa i dalë gjak, kjo nuk paraqiste problem a nevojë për ta marrë në mbrojtje. Vetëm nëse i dilte gjak nga ajo rrahje e burrit të saj, reagonte familja e bëhej përpjekje të ndalohej dhuna ndaj saj. Gruaja nuk kishte të drejtë të ishte as dëshmitare. Nëse një vajzë e pamartuar mbetej shtatzënë, fati tragjik i saj ishte i vulosur. (Franc Nopça, njëri nga studiuesit më të mirë të Kanunit, ka sjellë një rrëfim për një vajzë të cilën meqë kishte ngelë shtatzënë, e kishin mbyllur në një si kamare, ku i kishin lënë një dritarez sa t’i jepnin bukën dhe ku ajo kishte vdekur. Faktikisht ishte një lloj i murimit për së gjalli!)
Barbaritë si këto ndaj femrës ndër shqiptarë, të evidencuara nga Nopça dhe nga studiues e vëzhdues të tjerë, janë të shumta, të tmerrshme. Fatkeqësisht, disa nga normat e Kanunit të Lekë Dukagjinit kanë qenë aktive edhe në hapësirat e Kosovës, veçmas në sferën e gjakmarrjes dhe të diskriminimit brutal të femrës. Regjimi serbomadh do ta ketë nxitur të mbahej Kanuni sa më aktiv, sepse prodhonte dhunë, tragjedi dhe fragmentim social ndër shqiptarë, me çka mbajtja e tyre nën okupim sigurisht ka qenë e lehtësuar. Pra, edhe gjatë periudhës së gjatë të sundimit serb e jugosllav, (1912-1999) shqiptarët e Kosovës nuk kanë pasur mundësi të duhura të shkëputjes nga trashëgimia primitive ndaj femrës, as liri veprimi për transformimin dhe emancipimin e mirëfilltë të individit, të familjes e të shoqërisë. Shitblerjet e femrave kanë mbetur aktive në shumë familje e në shumë zona deri vonë, dhuna e burrit ndaj gruas ka mbetur e përligjur, diskriminimi i saj, duke ia mohuar edhe të drejtën e trashëgimisë pronësore, ka mbetur dominant. Absurd më vete është fakti që këto forma të diskriminimit kanë mbetur të forta edhe gjatë periudhës së regjimit komunist, i cili kishte proklamuar emancipimin e femrës dhe pozitën e saj të barabartë në shoqëri. Duke u bërë pronarë të shtetit, komunistët e filluan procesin e emancipimit të femrës, me tentativën për shkatërrimin e familjes si institucion e rrjedhimisht edhe me abuzime masive seksuale e tradhti bashkëshortore nëpër kooperativa e ndërmjarrje të tjera shtetërore. Çmoralizimi komunist për të cilin Brzhezhinski thotë se është pasoja më e madhe që ka lënë komunizmi, ka prekur rëndë edhe integritetin e femrës, e cila thjesht ishte viktimë e mujsharisë mashkullore, që dirigjonte tërë sistemin komunist. Madje edhe në vitet të thuash më normale që kanë pasur shqiptarët nën Jugosllavi, në vitet shtatëdhjetë, diskriminimi dhe presioni ndaj femrave ka qenë sistematik. Ishte sistematik dhe heshtazi i lejuar, madje deri edhe në shkollat e mesme, ku rrugaçë të ndryshëm tentonin të papenguar që të rrëmbenin a dhunonin nxënëse, kur dilnin nga shkolla në mbrëmje. Poashtu janë të njohura tregimet po edhe dëshmitë për disa udhëheqës komunistë të asaj kohe, që merrnin femra e abuzonin me to në mënyrën më imorale të mundshme, gjithnjë duke abuzuar fuqinë që u jipte pushteti totalitar. Pra, jo vetëm periudha e kanunit dhe e regjimit monarkist serb, po edhe periudha e socializmit, ishte skëterrë për femrën shqiptare në këto hapësira.
Periudha e spastrimit etnik dhe e gjenocidit serb të viteve 1998-1999 sigurisht është më e lahtarshmja, sepse në atë periudhë u përdorën dhunimet e femrave shqiptare si mjet lufte, për nxitjen e dëbimeve dhe të thyerjes së rezistencës. Tragjedia e kësaj periudhe ende nuk e ka gjetur përgjigjen adekuate, as nga shoqëria e as nga drejtësia. Mund të mos jetë faktori kryesor, por ka gjasa që qëndrimi i rrënjosur mashkullor për fajësinë a priori të femrës, është në themelet e këtij mosveprimi. Nuk do të mund të nxirrej kjo hipotezë, po të mos shoqërohej mosveprimi për ta çuar drejtësinë në vend, me tentimet për abuzim masiv me femrat në shoqërinë tonë të re nga mujsharët e rinj që u veshën me pushtet pas çlirimit. Janë raportuar raste të kushtëzimeve të punësimit me shërbime seksuale, madje edhe të notimeve në universitete, por as në këto raste drejtësia nuk ka reaguar në mënyrën e duhur. Madje as politika. Kësodore, femra ka mbetur viktimë e mujsharisë së shfrenuar mashkullore edhe në liri, kur ajo ka ëndërruar se do të çlirohej përfundimisht nga prangat e diskriminimit dhe të dhunës. Përkudrazi, kësaj tabloje tashmë i është shtuar edhe pjesa e dhunës së shfrenuar nga kriza e re e familjes si pasojë e hedonizmit e konsumerizmit të shfrenuar, ku kanë dalë edhe akterë të ri dhunues, me surratet e drogaxhive dhe personave me çrregullime psikike.
Me të gjitha këto trashëgimi të hidhura e me këtë aktualitet poashtu të hidhur, shoqëria jonë ende reagon e topitur, në mënyrë reaktive, kur ndodhë ndonjë tragjedi, si kjo e fundit me Marigona Osmanin. Por, jo si një projekt i cili do ta vinte në plan të parë mbrojtjen e femrës nga dhuna psikike e fizike, nga diskriminimi, nga mohimi i trashëgimisë, nga kushtëzimet për shkollim e punësim.
Në këtë mes, nuk mjaftojnë reagimet e shoqatave të grave. Ato janë të rëndësishme, por të pamjaftueshme, nëse shoqëria nuk reagon e politika nuk mobilizohet. Ndërsa, shoqëria nuk po reagon, politika nuk po mobilizohet. As shoqëria e as politika nuk e kanë kuptuar ende se problemi është më thellë, te ajo trashëgimi e paçrrënjosur, e cila femrën e kishte objekt legal të tregëtimit, të dhunës, të diskriminimit, të shfrimit libidal. Po të ishte e shkëputur shoqëria dhe politika nga ajo trashëgimi, do të bënte disa veprime, për ta ndalë këtë terror psikik e fizik ndaj femrave e nuk do të mjaftohej me fjalime histerike të politikanëve, të cilat që të nesërmen harrohen. Fjala vjen, do të mund të miratohej një ligj që do të jepte mundësi punësimi me prioritet femrave, që ato të mos kushtëzohen me shërbime seksuale për punësim. Poashtu mund të caktohet një përqindje solide për pozita drejtuese në insitucionet shtetërore e publike për femrat. Do të duhej të ndalohej me ligj që femra të privohet “vullnetarsiht” nga trashëgimia në familje siç bëhet shumë shpesh. Paditë që bëjnë gratë për dhunë psikike e fizike nga burrat e tyre, do të duhej të procedoheshin me urgjencë nëpër prokurori e gjykata. Natyrisht edhe arsimi publik mund të kontribuojë, por jo ky si është sot, me programe shkollore që në koncept mbrojnë trashëgiminë kanunore dhe jo me mësues që në një numër të konsiderueshëm janë produkkt i asaj mendësie. Sidoqoftë, mundësi përmirësimi gjithsesi ka. Tash për tash mungon vullneti shoqëror e vullneti politik. Mungon vullneti, sepse trashëgimia primitive ende shërben si sentiment a si narkotik në këtë vend. Fatkeqësisht, jemi shoqëri që ende nuk jemi liruar nga frika, rrjedhimisht as nga dhuna. Ne fillimisht duhet ta kuptojmë se jemi shoqëri që ka qenë dhe ende është viktimë e dhunës. Pastaj të kërkojmë rrugët më efikase të shkëputjes prej kësaj trashëgimie të llahtarshme, ku viktimat më të goditura janë dy grupet sociale më të pafajshme, gratë dhe fëmijët. Në këtë aspekt, jemi edhe shoqëri e mbuluar nga turpi, të cilin në vend se ta fshijmë, me ligje të reja e me një kulturë të re, vazhdojmë ta fshehim me mjetet e vjetra të mujsharisë primitive. (29 gusht 2021)