Burrështetësia e Ramush Haradinajt
Avni Klinaku
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka përpara vetes një vendim tepër të rëndësishëm. Të rëndësishëm për të, për Kosovën dhe për krejt kombin. Ai sot përballet me drejtësinë e një çështjeje dhe fuqinë e tij e të Kosovës për ta mbrojtur këtë të drejtë. Natyrisht që të gjithë e dimë se është fjala për taksën ndaj prodhimeve serbe dhe kërkesën ultimative amerikane për ta hequr atë.
Heqja e taksës cenon drejtësinë, sovranitetin e interesin tonë; mbajtja e taksës cenon raportet me SHBA-të! Si të veprohet në këtë rast? Kjo është çështja! Edhe Ramushi, si të gjithë të tjerët, e di se tërheqja e taksës është e pashmangshme, por një tërheqje e parakohshme e Ramushit do ta shkatërronte atë; një vonesë do ta dëmtonte Kosovën dhe prapëseprapë do ta shkatërronte Ramushin! Një sfidë të tillë Ramush Haradinaj sikur e ka kërkuar gjatë gjithë periudhës së pasluftës.
Ai gjithmonë ka dashur që ta dëshmoi veten edhe në paqe sikurse në luftë! Këtë sfidë Ramushi shumë shpesh është përpjekur ta krijoj e ta zgjidhë edhe përmes muskujve! Por sot ai e ka mundësinë që sfidën ta zgjidhë në tavolinë. Me vendim. E vendimi si Kryeministër është vetëm i tij. Vetëm ai është i pajisur me të gjithë informacionin, si atë publik, poashtu edhe atë të kanaleve diplomatike. Të gjitha thirrjet të tipit “hiqe taksën se na more në qafë” ose “taksa nuk duhet të hiqet me asnjë çmim” janë shumë naive! Vendimi duhet të merret as vonë e as herët. Aftësia dhe detyra e një burrështetasi është ta gjej këtë moment! Dhe kjo sot i takon vetëm Ramush Haradinajt!