“Burri i netëve të mia” nis shtegtimin
Ka dalë nga shtypi libri me poezi i poetes Neviana Shehi, “Burri i netëve të mia”, nën përkujdesjen e shtëpisë botuese “Armagedoni”. Sipas redaktorit të librit, Shkëlzen Halimi, kjo poete duhet të mbahet mend dhe të lexohet poezia e saj sepse ajo vjen e formuar mirë. “Periudha e tranzicionit në hapësirat shqiptare bëri që me mijëra bashkatdhetarë tanë të shpërndahen meridianëve të botës. Shumica prej tyre asnjëherë nuk i harruan gjuhën dhe atdheun. Ky binom kohë të gjatë mbajti gjallë shpirtin krijues të një numri të madh artistësh. Disa prej tyre arritën edhe majat më të larta jashtë atdheut, me të cilët ne krenohemi pafundësisht sa herë që dëgjojmë për suksese e tyre që shënojnë edhe larg edhe afër nesh. Një prej krijueseve tona të veçanta që vjen nga Italia është Neviana Shehi, e cila, ashtu si më parë, na sjell vargje plot pasion, ndjenjë dhe emocion mbështjell me dhimbje. Nuk po ju them mbajini mend emrin dhe mbiemrin e saj, por po ju them përcilleni këtë krijuese, vargjet e së cilës nga ana tjetër e Adriatikut na vijnë me një gjuhë poetike të formuar mirë”.
Shënime për autoren
Neviana Shehi u lind në Durrës ku edhe mbaroi shkollimin fillor dhe të mesëm, ndërkaq atë sipëror në Berlin të Gjermanisë. Prej më shumë se 20 vitesh jeton në Itali. Ka nisur të shkruajë poezi që herët. Libri i parë poetik i saj, “Vjeshtë fatesh”, u botua në vitin 2018 (Klubi i poezisë, Tiranë), ndërsa libri i dytë “Përtej valëve” në mars, 2020, po kështu nga Klubi i Poezisë.
Poezi nga libri i botuar
BURRI I NETËVE TË MIA
Burri i netëve të mia verore
është kaq i vogël
ka ca sy të çuditshëm
dhe një dylbi si të Piter Panit
në vëllimin e dytë.
Çdoherë ai e ndërron banesën
veshjet po se po
këtë javë banon në faqen e dyzetë
të librit që po lexoj.
Sa herë që lexoj ai frap
nxjerr kokën në heshtje
për ta lexuar titullin e librit
ose për t’u ngjitur në katin e tretë
të mendimeve të mia.
Trak-trak trokasin shkallët
nga hapat e tij të lehtë
dhe akustika e tyre
më zgjon edhe mua.
Ka pasur raste
që personazhet e librave të mi
të tremben
por kjo ndodh rrallë shumë rrallë.
Unë e ndiej xhelozinë e këtij burri të vogël
por nuk shqetësohem as dhe buzëqesh.
Tek ai ajo që më pëlqen më shumë
janë poezitë e ëndrrave
të gjitha nisin me të njëjtat fraza
dhe mbarojnë me të njëjtën pikëçuditëse.
Burri i netëve të mia
edhe trupin e ka si fletë libri.
KISHË E VOGËL NË GJOKSIN TIM
Kur ti ndien dhimbje mikja ime
një univers i trishtuar
më rëndon përmbi supe
dhe… një dhimbje therëse
më ngacmon vazhdimisht.
S’jam më vetvetja
por një çast që zvarritet
si qenie pa gjymtyrë.
Më dhemb edhe mua dhe…
pika e lotit sa madhësia e globit
ndahet vetë në dy pjesë.
Ç’të bëj për ty mikja ime
a do të t’i fal buzëqeshjet e mia
që të të ngrohin disi
për t’u ndier pak më mirë
merri.
Njeriu mund të gjallojë
edhe pa buzëqeshje
por pa miq të vërtetë është vështirë
oh shumë vështirë.
Që ti të bëhesh mirë mikja ime
lutjet e mia të pazëshme
ua nis yjeve mbrëmjeve si dhuratë
(ndonjëherë më thonë zërat
lutjet e mikes për miken
mund ta drithërojnë edhe Zotin).
Kur sëmuresh ti
pulsi im zë e rreh vetëm për ty
dhe gjoksi shndërrohet menjëherë
në një kishë të vogël
ku mesha s’mbaron asnjëherë
mikja ime.
Qysh në çastin që u njoha me ty
kam nisur të besoj
në alkiminë e shndërrimit të trupave.
NJË MBRËMJE E MJERË
Më puth pa pirë këtë gotë me verë
sepse po piva s’mbaj më mend.
Të më ngresh si një balon në erë
dhe të ikim paksa nga ky vend.
Një puthje është bekim për mua
dhe fryma jote gjithashtu.
E dehur ngjaj kur them të dua
ndaj vij rreth ajrit kuturu.
Më puth pa pirë këtë gotë me verë
e dehur jam nga dashuria.
Pa ty ngjaj në një mbrëmje të mjerë
që vdes pa ndier nga mërzia.
O shpirti im i blertë përherë
që veç me sy i ndal lumenjtë.
INTERMEXO
Përditë të shikoj nga një ballkon i përmalltë
zakonisht kur largohet mjegulla
dhe ajri bëhet i ngrohtë
si një letër dashurie
sigurisht jo nga ato që të nisja atëherë
me shkrimin tim të dridhur
por letra të shkruara me sqepa dhe
kaligrafi prej zogjsh të zgjedhur.
Letrat e tilla kanë gjithmonë
germa dhe fushë të kaltër.
I dashuri im prej ajri
e di qe distanca në mes nesh është e gjatë
por unë jam munduar ta shkurtoj
atë me fjalët e mia të mbrëmjes
shoqëruar me nga një puthje në mes.
Dje pashë si gjethi
me të cilin dikur ta pata uruar pranverën
ishte bërë një pemë e madhe
mbushur me fole zogjsh
në çdo degë.
Ti ende rri pezull
mbi dyzimet e tua
ndërsa unë të sodis
përtej xhamave të një stine.
Do të ishte më mirë të më puthje
por në kohë dyshimesh
edhe puthjet e zogjve
më duken pa qiej.
Buletinet meteorologjike
as për nesër s’premtojnë
kohë të mirë.
Nga ballkoni i përmalltë
sërish do ta mbyll librin e dhimbjes
në të njëjtën faqe.