Burri në Fushë-Kosovë e bën gruan për spital
Dhuna në familje është shndërruar në makth për vajzat dhe gratë në vendin tonë. Numri i rasteve që denoncohen çdo ditë në polici ka marrë përmasa shqetësuese. E shumë nga këto raste ndër vite kanë përfunduar me fatalitet për gratë.
Në polici ka përfunduar dje edhe një çift në Fushë-Kosovë, pasi një burrë dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.
Mësohet se 28-vjeçari i dyshuar pas një konflikti verbal ka eskaluar në dhunë fizike ndaj viktimës, duke i shkaktuar lëndime trupore.
Si pasojë e dhunës së përjetuar, viktima ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital, ndërkohë që gjithë ngjarjen e ka rrëfyer në polici. Ajo para hetuesve policorë ka deklaruar se nuk ndihet e sigurt ta vazhdojë bashkëjetesën me burrin, prandaj s’është kthyer në shtëpinë e përbashkët.