Burri rrah bashkëshorten, ndërhyn djali, rrah babanë
Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen raste ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhunë psikike e fizike nga bashkëshortët e tyre dhe anëtarët tjerë të familjes.
Një ngjarje e tillë ka ndodhur së fundmi në një familje në fshatin Pastasellë në Rahovec, ku një burrë po dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari i ka bërë presion gruas dhe e ka kanosur se do ta pësojë edhe fizikisht teksa ishin në shtëpinë e tyre – pas një mosmarrëveshje momentale.
Në konflikt, për ta mbrojtur nënën, u përfshi edhe djali i tyre, i cili e ka sulmuar babanë me një mjet të fortë.
Për pasojë, babë e bir u arrestuan dhe u shoqëruan në stacion policor, ndërsa u mor edhe deklarata e viktimës.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit të dërgohen në mbajtje dhe të iniciohet rasti për veprën penale ‘Dhunë në familje’.