Burrnesha Mire
(Fragment nga libri i Janet Reineck “Një amerikane në Kosovë 1981-1997” , të cilin libër mund ta lexoni online në www.janetreineck.com, dhuratë nga autorja për lexuesit shqiptarë, botoi ‘Cuneus’, Prishtinë, 2022)
Dushja kishte një të afërm shumë të veçantë, i cili apo e cila jetonte jo shumë larg në një truall tjetër të vogël afër Pejës. Kjo ishte halla e saj Mira, një burrneshë apo siç quhen shpesh “virgjëreshë e betuar” – një grua që, që në moshë të re, merr një identitet mashkullor. Kur e takova, Mira ishte dyzet e pesë vjeçe dhe i kalonte dimrat në rrafshinë duke drejtuar një punëtori të vogël sharritjeje. Por para kësaj, ajo e kishte kaluar jetën si bari në bjeshkët e Rugovës.
Një fenomen kulturor i dokumentuar mirë nga studiuesit, “burrneshat” gjenden në Mal të Zi, Shqipëri, Maqedoni dhe Kosovë. Ka rrethana të ndryshme që kanë shkaktuar këtë fenomen. Në kohët e vjetra, betimi i përjetshëm për virgjërinë (shndërrimi në burrneshë) ishte e vetmja mënyrë e ndershme që një vajzë mund të refuzonte burrin, të cilit i ishte premtuar.
Ajo, në fakt, do të betohej për braktisjen e feminitetit të saj, duke veshur rrobat e një burri dhe duke hequr dorë nga martesa ose fëmijët në të ardhmen.
Por, shmangia e martesës me një kandidat të papërshtatshëm ishte vetëm një prej shpjegimeve për këtë praktikë. Në shumë raste, kur një familje nuk kishte djem, një vajzë pranonte të merrte rolin e djalit. Ndërsa rritej, ajo merrte përsipër punën e burrave dhe përgjegjësitë përkatëse në familje.
Ndonjëherë kjo vlente për tërë jetën.
Ndonjëherë ishte e përkohshme, pra “djali” bëhej sërish vajzë kur vinte koha që ajo të martohej.
Rasti i Mires ishte i habitshëm, pasi, siç e thotë ajo, ajo ndjehej thjesht si bari. Në moshë të re, ajo bëri zgjedhjen për të jetuar si mashkull dhe askush nuk e pengoi. Ajo vishte rroba burrash dhe jetonte jetën e një burri – një jetë bariu. Të gjithë përreth e dinin situatën dhe e pranuan atë si normale, duke e trajtuar me respektin dhe nderimin që do të kishte çdo burrë shqiptar. Gratë i shërbenin asaj ashtu siç do t’i shërbenin një burri; burrat e përfshinin atë në punën e tyre, në bisedën e tyre, në brendinë e komunitetit të tyre.
Mendoj se mund të supozojmë se ajo nuk kishte partner seksual, një virgjëreshë e betuar në të gjitha aspektet.
Unë dhe Mira ndjemë një shoqëri të veçantë që në fillim. Unë isha gruaja e parë që kishte takuar, e cila vishte pantallona, ulej këmbëkryq në dysheme si burrat dhe merrej me muhabet – bisedat e burrave për historinë, politikën, punët dhe gjëra jashtë familjes.
Ju mund të pyesni veten se si mund të pranohesha në shenjtërinë e brendshme të jetës së grave në Kosovë dhe gjithashtu të hyja në botën e burrave kur situata e kërkonte këtë. Thjesht, sepse isha e huaj. Si e tillë, unë u pranova në të dy qarqet, por nuk mbahesha përgjegjëse për të gjithë spektrin e sjelljes apo përgjegjësive në asnjërin. Fakti që mund të aktroja sipas këtyre roleve tradicionale vlerësohej, por nuk është se mu kërkua.
Shqiptarët e toleronin sjelljen time “amerikane” si e huaj, dhe më trajtonin si një mysafire të nderuar. Kur doja qasje intime në rrethet e grave, në preokupimet, sekretet dhe mendimet e tyre private për jetën e tyre, mund ta kisha atë, për shkak që isha grua. Kur doja të largohesha nga bota e grave dhe të shkoja atje ku ishin burrat, mund ta bëja edhe këtë. Ata e dinin se në Amerikë jetoja atë që ata e konsideronin si jetë mashkullore: mund të paguaja qiranë, të ngisja një makinë, të merrja vendime për veten time, gjëra që një grua nuk i bënte në atë kohë në ato fshatra.
Ky identitet i dyfishtë gjinor më hyri aq mirë në punë, sa shpesh pyesja veten se si do mund të kryenin vërtet hulumtime të shkencave sociale studiuesit meshkuj në vende që kishin ndarje të madhe gjinore, ku gratë, për shkak të përshtatshmërisë (dhe xhelozisë mashkullore) nuk mund të lejonin një të huaj për të hyrë në hapësirën e tyre shoqërore. U ndjeva shumë me fat që munda të jetoj në të dyja këto botë.
Unë dhe Mira kishim shumë për të folur. Ajo që më dukej më interesante ishte se sa “normale” i dukej asaj dhe të tjerëve situata e saj. Në një vend ku të gjitha gratë pajtohen me rolin e grave dhe nënave të bindura, të hirshme, fisnike, ajo po jetonte një jetë krejtësisht të ndryshme dhe të gjithë e pranonin atë.
Vendosa ta gjeja se si funksiononte e gjithë kjo në mendjen e saj dhe në mendjen e atyre që e rrethonin. I bëra asaj lloj-lloj pyetjesh për fëmijërinë e saj, jetën me delet, nëse ndjehej keq që nuk kishte fëmijë dhe çfarë mendonte për jetën e grave shqiptare. Në fund të një bisede veçanërisht të gjatë me Miren, duke u përpjekur të gjeja këndvështrimet e saj për zgjedhjen që kishte bërë, duke shpresuar për një deklaratë të thellë për identitetin e saj unik, u përpoqa për herë të fundit me: “Mira, çfarë ka qenë e mirë në jetën tënde dhe çfarë ka qenë e vështirë?” Pasi e mendoi për ca kohë, ajo u përgjigj si bari që ishte: “Verat …ishin të mira. Dimrat… ishin të këqij.” Në fund, ajo më bindi se disonanca konjitive ishte vetëm në kokën time, dhe e lamë me kaq.
Kështu, në udhëtimin tim të parë në terren, nga familja e Dushës (e cila përfshinte shumë gra, një dashnore të shtëpisë dhe një burrneshë) mësova se rregullat e shoqërisë shqiptare, të cilat më ishin shpjeguar si të shenjta, në fakt lejonin shmangie të pranueshme. Megjithatë, në shumicën e situatave konventat shoqërore të vendosura rreptësisht, ishin të pashmangshme. Shumë shpejt u bë e qartë se në këtë rrjedhë do të shkonte edhe fati i Dushës.
(Fq.58-61)
___________________________________
Kush është Janet Reineck?
Janet Reineck është antropologe dhe punonjëse e ndihmës humanitare nga Santa Barbara, Kaliforni. Ajo jetoi në Kosovë për tetë vjet, ndërmjet viteve 1981 dhe 1997, dhe mësoi gjithçka që mundi për kulturën shqiptare dhe më pas i përdori këto njohuri për të ndihmuar në përmirësimin e kushteve në shkollat e fshatit dhe ndërtimin e shoqërisë civile në komu-nitetet rurale.
Në fillim të viteve 1980, Janet bëri kërkime për një Master në etnologjinë e valleve në UCLA. Teza e saj “Vallet e dasmave nga Kosova: analizë strukturore dhe kontekstuale”, u fokusua në vallet dhe zakonet e Kosovës rurale, duke përfshirë Hasin, Rugovën dhe Gollakun, me fokus në traditën e pasur të Opojës me këngë-vallet e saj të grave dhe ciklin i 11 valleve të meshkujve, këllçojën.
Në fund të viteve 1980, ajo vazhdoi kërkimin e saj të doktoratës në antropologji për Universitetin e Kalifornisë, Berkeley. Disertacioni i saj “E kaluara si strehë: Migrimi gjinor dhe ideologjia në mesin e shqiptarëve
të Kosovës” është një studim i hollësishëm i traditave dhe botëkuptimit shqiptar, duke parë në mënyrë specifike efektin e emigrimit të burrave në botëkuptimin dhe sjelljen në komunitet.
Në vitet 1990, Janet drejtoi projekte të ndihmës humanitare për Oxfam dhe Komitetin Ndërkombëtar të Shpëtimit në komunat e Vitisë dhe Gjilanit. Së bashku me ekipin e saj shqiptar dhe drejtuesit lokalë, ajo organizoi projekte për të rindërtuar shkollat e shkatërruara, themeloi grupin e grave
Legjenda, ofroi kurse edukimi shëndetësor për gratë dhe i bindi familjet që t’i dërgonin vajzat e tyre në shkollë të mesme.
Në vitin 2010, Janet bashkoi përvojën e saj në vallëzim, antropologji dhe ndihmë humanitare për të krijuar World Dance for Humanity, një or-ganizatë jofitimprurëse me bazë në Santa Barbara të Kalifornisë, që ofron klasa të përditshme kërcim. Të gjitha të ardhurat shkojnë në projekte në Ruandë, ku organizata po ndihmon 13,000 të mbijetuar të gjenocidit në 28 komunitete komunitete që të dalin nga varfëria.
(Agron Gashi).