Bushi: Anglia do ta ketë të vështirë ndaj nesh
Trajneri i Kombëtares i Shqipërisë U21, Alban Bushi, zbuloi listën e lojtarëve të grumbulluar për përballjen eliminatore të 15 nëntorit kundër Anglisë.
Trajneri Bushi vlerësoi rëndësinë e sfidës dhe theksoj se ka besim te skuadra e tij se duke dhënë 100 % çdo lojtar do të arrijë të bëjë më të mirën, përtej faktit se kundërshtari që kemi përballë është ndër më të fortët në botë.
“E dimë kush është Anglia. Ky është favor për ne, sepse e kemi ndjekur. Futemi gjithmonë të fitojmë, edhe nëse është Anglia, apo San Marino. Normalisht se në këtë ndeshje nuk do të futemi të bëjmë lojë sulmuese, por të bëjmë sulme të sakta, duke qenë një skuadër cinike. Strategjia është të mbrohemi mirë dhe të kundërsulmojmë. Anglia është ekip i madh, por nuk duhet pasur frikë. Edhe mund të fitojmë, të barazojmë apo humbim. Kemi luajtur me Italinë, Spanjën dhe Francën. Kemi pësuar për fajin tonë. Nëse nuk bëjmë gabime individuale, Anglia nuk na shënon. Po të jemi të bashkuar do ta kenë të vështirë. Edhe Spanja vetëm në fund na shënoi në ‘Selman Stërmasi’ kur luajtëm me të”, ka thënë Bushi.
“Kemi marrë tre lojtarë të rinj, si Tuci, Domi dhe Ismailgeci. Ata janë të rinj dhe luajnë në ekipet e tyre. Janë edhe në formë. Do të shohim në stërvitje se kush do të luajë nga fillimi. Kemi pasur probleme, pasi kemi tre lojtarë te U19, Tafa me kartonë, Vrioni i dëmtuar. Gjithsesi do të mundohemi që me këta lojtarë të bëjmë më të mirën”, ka deklaruar Bushi. Më pas trajneri foli edhe për tifozët, pasi beson se do të jenë në numër të madh, sikurse edhe në të kaluarën. “Patjetër që është një ndeshje e rëndësishme për ne dhe për tifozët. Ata duhet të vijnë ta shohin Shqipërinë, pastaj Anglinë. Kemi bërë ndeshje të mira për ta respektuar flamurin, veten dhe tifozët. Duhet të dimë kush jemi dhe më kë luajmë. Kur jep maksimumin nuk është se kërkohet diçka më shumë, edhe nëse mundesh. Në Shkodër do të vijnë tifozët, kanë ardhur edhe më parë”, ka shtuar trajneri i U21-shave. Ndeshja Shqipëri – Angli do të luhet në stadiumin “Loro Boriçi”, në orën 19:00.