Bushi e përgëzon Shqipërinë për organizimin e Evropianit me Serbinë
Trajneri i ekipit kombëtar U-21 të Shqipërisë, Alban Bushi doli sot në një konferencë për mediat ku foli për kualifikueset e Europianit 2025, por edhe për organizimin e përbashkët Shqipëri – Serbi të Kampionatit Europian U-21 në vitin 2027.
Ish-futbollisti shqiptar thotë se kjo është diçka jashtëzakonisht e madhe, duke shtuar se nuk i intereson se me kë e organizon Shqipëria Europianin, duke i përmendur vetëm të mirat sportive.
“Më duket zgjedhje shumë e mirë, sepse është gjëja më e bukur që i ka ndodhur ndonjëherë Shqipërisë, të organizojë kampionatin europian, nëse vendoset të bëhet. Nuk më intereson me kë bëhet, me Serbinë apo Slloveninë. Më intereson nga ana sportive, është diçka jashtëzakonisht e madhe, siç ishte dhe finalja e Conference League. Nuk i di të gjitha detajet, por është kampionat europian dhe Shqipëria ka shumë përfitime”, u shpreh Bushi.
Vendimi i Federatës Shqiptare të Futbollit për organizimin e përbashkët të Europianit me Serbinë, duke e parë të kaluarën e dy popujve, por edhe trajtimin aktual që ua bëjnë serbët shqiptarëve, ka marrë kritika të mëdha anembanë botës ku ka shqiptarë.