Buxhet i kufizuar për zotimet e Vetëvendosjes
Buxheti i Kosovës prej 2.4 miliardë eurove paraqet vështirësi në realizimin e zotimeve të Lëvizjes Vetëvendosje (LV) në aspektin ekonomik dhe social.
Kështu ka thënë për “Radion Evropa e Lirë”, Arian Zeka, drejtor ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane të Kosovës.
Lëvizja Vetëvendosje ka fituar zgjedhjet e 14 shkurtit, të mbajtura në Kosovë.
Megjithatë, sipas Zekës, nëse shteti arrin të luftojë ekonominë joformale, e cila llogaritet të jetë deri 30 për qind e Bruto Produktit Vendor në Kosovë, atëherë arka e shtetit do të rritet dhe do të mundësohet realizmi i atyre zotimeve.
“Në rrethana të tilla, kur ekonomia joformale është në një shkallë të lartë dhe buxheti i vendit është i kufizuar, është i vështirë zbatimi i zotimeve të LV-së, pa rritur edhe normat e tatimeve ekzistuese”, la thënë Zeka.
Buxheti i Kosovës për vitin 2021 kap vlerën e 2.4 miliardë eurove dhe përgjatë viteve nuk ka pasur buxhet më të madh se ky, i cili është në këtë vit.
Krijimi i Fondit Sovran, Banka Zhvillimore e Kosovës, punësimi deri në një vit të plotë për të gjithë të rinjtë, (mosha 16-18 vjeç), janë vetëm disa nga prioritetet në aspektin ekonomik në planprogramin e Lëvizjes Vetëvendosje.
LV-ja ka paraparë edhe anëtarësimin e Kosovës në Fondin Ndërkombëtar për Zhvillimin e Bujqësisë. Në mënyrë që të sigurohet një treg vendor, që sipas LV-së nuk përbuz mundin e fermerëve, kjo parti do të sigurohet që të ketë çmime dysheme për kulturat kryesore bujqësore e blegtorale.
Në këtë fuqizim, LV-ja ka premtuar se do ta financojë bujqësinë për çdo vit deri në 100 milionë euro.
Futja e çmimeve referente për një sërë produktesh bazike bujqësore, midis tyre edhe për grurin dhe qumështin, është paraparë po ashtu në planprogramin e LV-së, me të cilin ka garuar për të udhëhequr shtetin e Kosovës.
Shatri: Me 2.4 miliardë euro nuk zgjidhen as problemet që janë shkaktuar nga pandemia
Ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave në Kosovë, Haki Shatri, në një prononcim për “Radion Evropa e Lirë”, ka thënë se partia fituese e zgjedhjeve të 14 shkurtit, në planprogram nuk ka precizuar se në çfarë mandati do t’i bëjë ato zhvillime në ekonomi, pasi sipas tij, edhe në menaxhimin më të mirë, vështirë se ato premtime mund të realizohen.
Kosova, ka shtuar ai, ka të trashëguara probleme të mëdha ekonomike.
“Buxheti prej 2.4 miliardë eurove nuk do të mjaftojë as t’i shërojë këto plagët e pandemisë që janë. Ka shumë vështirësi… papunësia, varfëria të gjitha problemet strukturore të ekonomisë. Nëse 10 për qind e zotimeve mund të realizohen në këtë vit dhe vitet në vazhdim, do të jetë sukses i mirë”, ka thënë Shatri.
Skemat e reja sociale rëndojnë buxhetin
Lëvizja Vetëvendosje ka paraparë po ashtu rritje të skemave sociale. Aktualisht, baza e politikave sociale në Kosovë përbëhet nga skema të shumta sociale e pensionale. Në këto kategori hyjnë mbi 420 mijë qytetarëve të Kosovës dhe nga buxheti i shtetit çdo vit ndahen deri në 400 milionë euro.
Përveç skemave aktuale, LV-ja ka paraparë për të gjithë fëmijët nën moshën 2-vjeçare përfitime shtesa mujore në vlerë prej 20 eurove, kurse fëmijët nën moshën 16-vjeçare shuma që përfitojnë do të jetë 10 euro në muaj.
Ndërkaq, të gjitha familjet që kanë të ardhura të ulëta, do të rimbursohen varësisht prej të ardhurave vjetore që familja merr.
“Nga 50 euro për fëmijë nëse familja ka të ardhura vjetore më pak se 7 mijë euro në vit, nga 100 euro për fëmijë nëse familja ka të ardhura vjetore më pak se 6 mijë euro, dhe nga 150 euro për secilin fëmijë nëse familja ka të ardhura vjetore më pak se 5 mijë euro”, është thënë në programin e LV-së.
Lidhur me këto zotime, Zeka ka thënë se duhet treguar kujdes dhe gjithnjë duhet marrë në konsideratë kufizimet buxhetore që ka vendi.
“Në të njëjtën kohë duhet marrë në konsideratë aftësinë e shtetit për mbledhjen e të hyrave, meqenëse nuk dëshirojmë të rrezikojmë stabilitetin buxhetor ose në ndonjë të ardhme të afërt të ballafaqohemi me rritjen e detyrimeve tatimore të bizneseve në rend të parë, meqenëse kjo do të bënte vendin më pak atraktiv për investime”, ka thënë Zeka.
Fondi Monetar Ndërkombëtar, në raportin e fundit, ka vlerësuar se Kosova në vitin 2020 ka shënuar rënie të ekonomisë deri në 6 për qind. Ndërkaq, ka paraparë rritje ekonomike në vitin 2021 deri në 4.5 për qind.
Ky mekanizëm financiar ndërkombëtar, po ashtu ka theksuar rëndësinë e kufizimit të rritjes së pagave në sektorin publik dhe vlerësimin e qëndrueshmërisë së sistemit aktual të pensioneve përpara futjes së çdo ndryshimi.
Pagë minimale 250 euro
LV-ja ka planifikuar që pagën minimale ta rrisë në 250 euro dhe se kjo pagë të përjashtohet nga tatimi në të ardhurat personale.
Lidhur me këtë Zeka ka thënë se OEAK konsideron se paga minimale duhet të jetë rezultat i një aranzhimi mes punëdhënësve dhe punëmarrësve dhe jo i ndërhyrjes së shtetit.
“Nëse vetëm duhet të rritet paga minimale, duhet të merren në konsideratë kapacitetet e kompanive të sektorit privat. Ajo që qeveria duhet të bëjë përtej këtyre premtimeve është që të krijojë një mjedis të favorshëm që ndërmarrjet e sektorit privat të fuqizohen më tej”, ka thënë Zeka.
Adresimi i problemit të varfërisë dhe ulja e saj mbetet po ashtu kriter shumë i rëndësishëm i LV-së. Qeveria e Kosovës, thuhet në planprogramin e LV, nuk do të lejojë që 100 mijë qytetarë të jetojnë me më pak se 1 euro në ditë.