Buxheti i Komunës së Hanit të Elezit për vitin 2020 do të jetë mbi 2.7 milionë euro
Komuna e Hanit të Elezit ka përmbyllur procesin e debateve publike me qëllim të përfshirjes së qytetarëve në proceset e vendimmarrjes, siç është projektbuxheti për vitin 2020 dhe parashikimet për vitet 2021-2022.
Në gjashtë takime publike me banorët e fshatrave, lagjeve dhe vendbanimeve të komunës së Hanit të Elezit, pjesëmarrësit janë njoftuar me investimet që do të realizohen gjatë vitit 2020.
Drejtori për Buxhet dhe Financa, Shabi Rexhallari, ka bërë me dije se, bazuar në qarkoren buxhetore 2020/01 dhe 2020/02, janë përcaktuar kufijtë e buxhetit sipas granteve buxhetore dhe burimeve të financimit.
Ai ka thënë se buxheti fiskal për vitin 2020 për Komunën e Hanit të Elezit do të jetë 2 milionë e 742 mijë e 95 euro. Sipas tij, parashikimet për vitin 2021 do të jenë në shumën prej 2 milionë e 846 mijë 397 eurosh, ndërsa për vitin 2022 do të jenë në shumën prej 2 milionë e 958 mijë e 963 eurosh.
Ndërsa nga pjesëmarrësit në këto dëgjime publike janë pranuar shumë propozime konkrete, prej të cilave dominojnë problemet me furnizim me ujë, problemet me rrjetin e energjisë elektrike si dhe kërkesa për infrastrukturë publike.
/Epoka e re/