Buxheti i vitit 2019 parasheh 60 milionë euro për kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së (Video)
Projektbuxheti për vitin 2019, nga ekspertë të ekonomisë është konsideruar jozhvillimor, por si vazhdimësi e buxheteve të viteve paraprake, pa ndryshime të mëdha strukturore sa i përket shpenzimeve.
Madje, sipas tyre edhe në aspektin e të hyrave vështirë se do të jetë i realizueshëm.
Berat Thaçi, analist politikash në Institutin GAP, ka thënë “Kosovapress” se projektbuxheti në parim mbetet një buxhet i asfaltit, ngase Ministria e Infrastrukturës e dominon strukturën e investimeve kapitale për rrugë me rreth 48 për qind të buxhetit total.
Ai ka thënë se ka një rritje të vogël të buxhetit për sektorin e shëndetësisë dhe drejtësisë, mirëpo sipas tij, nuk është i mjaftueshëm, veçmas në shëndetësi kur dihet se ky sektor është mjaft në gjendje të rëndë.
Projektbuxheti për vitin 2019 që pritet të jetë 2.3 miliardë euro është i orientuar edhe në skemat sociale, që sipas Thaçit, dëmtojnë perspektivën e vendit.
Madje, Thaçi tha se vetëm për kategoritë e luftës me buxhetin e vitit të ardhshëm, janë paraparë të jenë rreth 60 milionë euro.
Edhe profesori në Fakultetin Ekonomik, Nagip Skënderi, ka thënë se ky lloj buxheti ose kjo shpërndarje e buxhetit tregon se nuk ka shumë performancë në aspektin e ndarjes së buxhetit në kontekst të zhvillimit ekonomik.
Sipas tij, ky buxhet është i përqendruar në aspektin e mirëmbajtjes sociale, në aspektin fushës së shëndetësisë, të arsimit dhe FSK-së.
Ndërsa, eksperti financiar Hekuran Murati, ka theksuar për “Kosovapress” se në të kaluarën, tek pjesa e të hyrave zakonisht ka pasur nën-performim në kategorinë e të hyrave të njëhershme, si në rastin e të hyrave nga shitja e telekomit, licencave të ndryshme, apo edhe dividentave.
Ai ka thënë se kësaj radhe është planifikuar një shumë e konsiderueshme e të hyrave të tilla kryesisht nga fondet e AKP-së, të cilat sipas tij vështirë se do të realizohen sipas planit.