Buxheti i vitit 2022 bankroton ekonominë e vendit!
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, gjatë një konference të përbashkët që pati me kryetarin e kësaj partie, Ramush Haradinaj, kanë theksuar se buxheti për vitin 2022 është buxhet që vërteton varfërimin e Kosovës, stagnimin e zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm dhe një buxhet që i diskriminon komunat e AAK-së.
“Është një buxhet, i cili përveç Ligjit të Pagave, ka lënë jashtë edhe Ligjin e Financave Lokale, Ligj ky që do të forconte financimin në komuna. Poashtu, ka lënë jashtë shumë projekte infrastrukturore, të cilat edhe pse janë premtuar, sikurse rruga Podujevë-Prishtinë, nuk janë buxhetuar dhe do të mbesin në të njëjtën situatë. Pra, premtimi po shihet që ka qenë politik dhe partiak”, ka thënë Tahiri.
Sa i përket Ligjit të Pagave, ai ka pohuar se po shihet që Qeveria Kurti nuk ka vullnet politik që ta shtyjë përpara këtë ligj.
“Po ashtu, pakoja e rimëkëmbjes e proklamuar me 420 milionë euro, është një mashtrim, për shkak se në raportin nëntëmujor në Departamentin e Thesarit ne uebfaqen e Ministrisë së Financave, shihet që janë shpenzuar vetëm 101 euro nga kodi buxhetor 98/99 për rimëkëmbje ekonomike”.
“Në këtë buxhet shihet diskriminimi që iu bëhet komunave të cilat nuk qeverisen nga Vetëvendosje. Nëse i bëjmë një vlerësim komunave me të cilat qeverisë Aleanca, janë përjashtuar projekte, si ai i sheshit të qytetit të Rahovecit. Nuk është ndërmarrë asnjë veprim për revitalizimin e zonës industriale dhe një numër i madh subvencionimesh për fermerët që nuk kanë ndodhur dhe nuk janë planifikuar në ligj”, ka deklaruar Tahiri.
Tahiri ka thënë se në komunat: Suharekë, Deçan, Klinë e Gjakovë janë larguar shumë projekte.
“Pra, ky buxhet e varfëron vendin tonë, nuk gjeneron zhvillim ekonomik, nuk përkujdeset për 80 mijë shërbyesit civilë, dhe mbi të gjitha e bankroton ekonominë e vendit. Pra, në komunat, ku nuk qeverisë vetëvendosje, ka ndodhur një masakrim i buxhetit, duke larguar projekte të cilat ndikojnë në jetën e qytetarëve”, ka deklaruar Tahiri.