
Buxheti i Komunës së Drenasit për vitin 2019 do të jetë mbi 15 milionë euro
Komuna e Drenasit ka organizuar debat publik me qytetarë për kornizën afatmesme buxhetore.
Në këtë debat ku kanë marrë pjesë nënkryetari i Drenasit, Gani Sylaj, kryesuesi i Kuvendit Komunal, Labinot Halilaj, drejtorët e drejtorive komunale, anëtarë të Komitetit për Politikë e Financa, kryetarë të fshatrave, përfaqësues të lagjeve, qytetarë dhe OSBE-ja, është diskutuar për projektet prioritare për periudhën 2019-2021 në bazë të qarkores buxhetore 2019/2021.
Të pranishmit gjatë debatit kanë paraqitur kërkesat e tyre për investime kapitale në infrastrukturë, ku kryesisht kërkesat kanë qenë të fokusuara në projektet që kanë të bëjnë me rregullimin e infrastrukturës, asfaltimin e rrugicave në lagje, ndërtimin e rrjetit të kanalizimit dhe trotuareve.
Buxheti i përgjithshëm i Komunës së Drenasit për vitin 2019 është i planifikuar të jetë mbi 15 milionë euro, ndërsa për investime kapitale janë planifikuar mbi 4.5 milionë euro.