Buxheti marramendës i Biden, presidenti i SHBA prezanton planin prej 6 trilionë dollarësh
6 trilionë dollarë, kjo është shuma e buxhetit të parë vjetor e propozuar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden. Në planin e shpenzimeve përfshihet edhe një rritje e madhe e taksave për amerikanët më të pasur. Buxheti i majmë ka në përbërje programe të reja sociale dhe investime në luftën ndaj ndryshimeve klimatike.
“Në të gjithë vendin, ne kemi kaluar nga dhimbja dhe ngecja e një dimri të gjatë dhe të errët në një ekonomi në lëvizje që rritet më shpejt se në gati 40 vjet. Nga krijimi anemik i vendeve të punës në muajt para se të merrja detyrën te krijimi më i shpejtë i vendeve të punës në tre muajt e parë të çdo administrate në historinë amerikane. Dhe te rritja e pagave”, tha Biden.
Prioritetet kryesore të Biden janë infrastruktura, edukimi, kërkimet shkencore, shëndetin publik dhe përkujdesjen ndaj fëmijëve, natyrisht edhe mposhtja e pandemisë Covid-19 me anë të vaksinimit masiv të popullatës.
“Kam vendosur një synim ambicioz për të vaksinuar 70 përqind të amerikanëve të rritur të paktën me një dozë deri në 4 korrik. Sot, kur ka mbetur pak më shumë se një muaj, ne jemi në kuotën e 62 përqind. Dhjetë shtete tashmë kanë arritur nivelin 70% të vaksinimit”, u shpreh Biden.
Ndërkohë, buxheti i parë i Biden duhet të aprovohet nga Kongresi, ndërsa republikanët e kundërshtojnë atë duke e konsideruar “çmendurisht të shtrenjtë”. Sipas atij plani, borxhi i Shteteve të Bashkuara do të shkojë 117 përqind e Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2031, duke tejkaluar nivelet e Luftës së Dytë Botërore. A2