Buxheti nuk rishikohet sivjet, “është i planifikuar mirë”
Vendimi i Qeverisë se Kosovës për mosrishikim të buxhetit për këtë vit po vlerësohet veprim i gabuar nga udhëheqës të Asociacionit të Komunave të Kosovës dhe ekspertë për çështje ekonomike.
Zyrtarë të Qeverisë se Kosovës kanë konfirmuar se nuk do të ketë rishikim të buxhetit, pasi siç thuhet, “buxheti është planifikuar mirë, sa nuk ka nevojë për rishikim”.
“Rishikimi i buxhetit nuk është obligim ligjor. Buxheti është përgatitur në përputhje me planin dhe në harmoni me vizionin qeverisës. Prioritetet dhe objektivat zhvillimore janë orientuar bazuar ne dokumentet strategjike”, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” Muharrem Shahini, zëdhënës në Ministrinë e Financave.
Por, ky veprim i Qeverisë se Kosovës do të dëmtojë posaçërisht projektet kapitale te nivelit lokal, thonë udhëheqës të Asociacionit të Komunave të Kosovës, të cilët kanë dërguar një kërkesë në Ministrinë e Financave që të bëhet rishikimi i buxhetit.
Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka thënë “Radion Evropa e Lirë” se ende nuk kanë marrë ndonjë përgjigje zyrtare nga Qeveria e Kosovës.
Ai e ka konsideruar të nevojshëm dhe të domosdoshëm rishikimin e buxhetit, për siç thotë, menaxhimin dhe realizimin më të mirë të projekteve kapitale.
Për shkak të mosrishikimit të buxhetit, Ibrahimi ka thënë se dyshon se në tremujorin e fundit të këtij viti, Qeveria e Kosovës do marrë grantet me vlerë milionëshe të komunave dhe do t’i destinojë ato në nivelin qendror.
“Dhe në tremujorin e fundit, nëse komunat nuk mund të zbatojnë disa projekte që janë paraparë më herë, mirëpo është kërkuar rishikim i buxhetit, në mënyrë që të zbatohen edhe projekte të tjera, atëherë niveli qendror e ka të drejtën që në tre mujorin e fundit, këto mjete t’i marrë nga komunat, prej mjeteve që iu kanë transferuar komunave si grante qeveritare, kurrsesi nga të hyrat vetanake”.
“Mirëpo, këto shuma konsiderohen se janë milionëshe, të cilat do t’u mirren komunave nga niveli qendror dhe ato do të ridestinohen nga niveli qendror pa i konsultuar komunat se ku do të shkojnë ato mjete”, ka thënë Ibrahimi.
Proces të domosdoshëm rishikimin e buxhetit e ka konsideruar edhe Naser Osmani, anëtar në Komisionin për Buxhet dhe Financa në Kuvendin e Kosovës.
Vendimi i Qeverisë se Kosovës për rritjen e pagave, shpenzimi i mjeteve buxhetore në mënyrë ad-hoc, sipas Osmanit, janë arsye të nevojshme për rishikim të buxhetit.
“Më qenë se ka pasur rrjedha të mjeteve të shpërndara, të paplanifikuara, siç është rasti me rritjen e pagave, pastaj për disa projekte kapitale ose edhe me lëvizjen e projekteve të ndryshme të investimeve kapitale, rishikimi është i domosdoshëm. Nëse nuk bëhet rishikimi, atëherë mund të ketë ndërhyrje në Ligjin e buxhetit, faktikisht që do të konsiderohet shkelje ligjore nga ana e Qeverisë se Kosovës”, ka thënë Osmani, i cili është deputet i LDK-së.
Arsyet e mosrishikimit të buxhetit janë politike, ka vlerësuar ekspertin për çështje ekonomike Naim Gashi. Ai ka thënë se shteti dhe buxheti ka nevojë imediate për të rishikuar buxhetin, pasi ka projekte të mëdha që kanë një ngadalësim në realizimin e tyre dhe projekte të cilat kërkojnë fonde më të mëdha.
“Rishikimi i buxhetit përbën një elemente esencial për të nxitur zbatimin e projekteve kapitale dhe projekteve tjera brenda një ekonomie nacionale dhe është i domosdoshëm në praktikat parlamentare”, ka thënë Gashi.
Ndryshe, zyrtarë të Ministrisë se Financave, thonë se të hyrat e përgjithshme buxhetore janë mirë duke performuar dhe se shpenzimet janë brenda planit. Kurse, nëse ka kërkesa brenda strukturës së shpenzimeve, atëherë sipas Ligjit të buxhetit 2018, sipas Shahinit, në muajin tetor, Ministri i Financave gëzon të drejtën ligjore për të marrë veprime sipas kërkesave të organizatave buxhetore në pozicionet ku ka nevojë për mjetet shtese.
Sidoqoftë, Qeveria e Kosovës ka miratuar raportin gjashtëmujor të buxhetit për vitin 2018, i cili do të dërgohet në Kuvendin e Kosovës. Raporti për këtë periudhë evidenton të hyrat e përgjithshme në shumën 870 milionë euro, që shënon rritje prej 6 për qind, krahasuar me gjashtëmujorin e vitit paraprak. Kurse shpenzimet gjatë kësaj periudhe arrijnë shumën 855 milionë euro, që shënojnë rritje për 10 për qind më shumë se periudha e njëjtë e vitit paraprak.