Buxheti për vitin 2024, Haradinaj: Prodhon varfëri dhe zhgënjim
Drejtuesit e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e kanë quajtur buxhet të varfërisë dhe zhgënjimit, buxhetin e vitit 2024, teksa kanë kritikuar edhe përqindjen për investimet kapitale.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se buxheti për vitin e ardhshëm nuk përbën zhvillim ekonomik, por varfëri dhe stagnim.
Haradinaj rritjen e koeficientit e ka konsideruar të vogël krahasuar me inflacionin.
“Projektbuxheti me parametrat nuk është zhvillimor, por stagnues. Rritja minimale praktikisht është shkurtim i buxhetit, marr parasysh inflacionin që është dhe që do të vijë. Rritja e koeficientit për vitin e ardhshëm nuk është rritje dhe investimet kapitale nuk mundësojnë ndonjë zhvillim ekonomik”.
“Asnjë nga projektet infrastrukturore nuk janë realizuar këtë vit, por janë bartur për vitin e ardhshëm. Fondi i transferove sociale është zvogëluar për 12 për qind që do të thotë se nuk do të ketë rritje për familjet sociale. Ky buxhet është buxhet i varfërisë dhe i stagnimit”, ka thënë Haradinaj.
Ndërsa deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka thënë se shumë projekte janë bartur në vitin e ardhshëm dhe kjo sipas tij është dështim i qeverisë.
“Siç e dini buxhetit për vitin 2024 është 3 miliardë dhe e ka ndryshuar strukturën dhe ato projekte që kanë qenë, janë bartur për vitin 2024 dhe këtu është dështimi i Qeverisë Kurti”.
“Kjo ka ndikuar në ngecje të zhvillimit ekonomik dhe shumica e buxhetit ka shkuar në skema sociale dhe në subvencione. Nëse kanë premtuar në sigurime shëndetësore, pozicioni në këtë drejtim është zero”, ka thënë Lekaj, teksa ka kritikuar edhe premtimin për ndërtimin e çerdheve dhe banimin kolektiv të çifteve.
Më tutje, shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se buxheti për vitin 2024, do të jetë “buxhet i mashtrimit të numrave dhe i kamufluar që prodhon varfëri dhe zhgënjim”.
Kurse kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jashari, ka thënë se rritja e koeficientit të paga, është zhgënjyese pasi paga rritet vetëm 29 euro.
Kritika për buxhetin e vitit 2024, ka pasur edhe kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi.
“Në buxhetin e tanishëm, neve sindikatave po na bënë me dije se as në vitin 2024 nuk do të kemi marrëveshje kolektive”, ka thënë Azemi.