Buxheti për vitin 2024 pritet të diskutohet dhe të votohet të enjten në Kuvendin e Kosovës
Kryesia e Kuvendit të Kosovës në mbledhjen e mbajtur të hënën ka caktuar seancën e re plenare për të enjten, 16 nëntor, ku pritet të diskutohet dhe të votohet buxheti për vitin 2024.
Sipas rendit të ditës, në seancën e caktuar për të enjten, për diskutim dhe votim do të jetë Ligji për Ndarjet Buxhetore për vitin 2024, sipas rekomandimit të Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere.
Ndryshe, në mbledhjen e saj të 171-të, Qeveria e Kosovës miratoi Projektligjin për ndarjet buxhetore për vitin 2024.
Kryeministri Albin Kurti në fjalën e tij tha se buxheti për vitin 2024 do të jetë 3 miliardë e 314 milionë euro.
Sipas tij, përmes buxhetit të propozuar parashihet që koeficienti i pagave në sektorin publik do të jetë 110 euro, pesë euro më shumë se sa vitin e kaluar.
“Për sektorin publik, kemi thënë qysh në fillim të këtij vitit se koeficienti i pagave për vitin 2024 do të jetë 110 euro dhe këtë po e realizojmë, pra po i rrisim pagat në sektorin publik, ashtu siç kemi thënë”, ka thënë ai në këtë mbledhje.
Buxheti për vitin 2024, sipas kryeministrit Kurti do t’i kushtojë rëndësi të veçantë mbrojtjes e sigurisë, prandaj sipas tij është rritur numri i policëve edhe për 500 të tjerë dhe numri i ushtarëve edhe për 600 të tjerë.
Sipas Kurtit, arsimi do ta ketë mbështetjen e nevojshme, shëndetësia ku do të vazhdohet në investimin e renovimit të spitaleve dhe blerjeve të pajisjeve të teknologjisë së fundit.
Duke folur për drejtësinë, ai ka deklaruar se buxheti për Ministrinë e Drejtësisë është i rritur buxheti 31% më shumë se sa ka qenë për vitin e kaluar. Krejt kjo që të zbatohen deri në fund reformat e nisura në drejtësi.