Buzuku femra e parë shqiptare dr. shkence në Teknologji Industriale dhe Menaxhim
Puna, vullneti, përkushtimi, dëshira, kureshtja dhe pasioni për t’i prekur majat e suksesit në profesionin e saj, ka bërë që dr. Shqipe Buzuku të jetë femra e parë shqiptare në botë, dr. shkence në Teknologji Industriale dhe Menaxhim.
Edhe pse sukseset e të rinjve, sidomos të femrave tashmë janë evidente kudo në botë, ajo tha se populli i Kosovës dhe sidomos femrat shqiptare, kanë dëshmuar para botës se janë të talentuara dhe kanë arritur majat e suksesit, si në art, muzikë dhe sport, arsim, shkencë etj.
Shumë e rëndësishme për të është, se si një femër shqiptare ta përfaqësoj vendin e vet të vogël Kosovën botërisht.
Në të njëjtën kohë, jo vetëm se ka bërë shkencë, por ka pasur edhe një rol të një ambasadoreje nëpër konferenca ndërkombëtare (SHBA, Kinë, Francë, Spanjë, Itali, Finlandë, Kroaci, etj.), ku me krenari çdo herë ka prezantuar vendin origjinës, edhe pse ka mbajtur adresën akademike të Finlandës. Gjithashtu, ajo thotë se e ndjen obligim intelektual, profesional dhe moral që përvojën e saj t’a bartë në institucionet e Kosovës.
E lindur dhe e rritur në Prishtinë, në një intervistë për Telegrafin dr. Buzuku sjell përvojën e saj që nga hapat e parë kur iu qas rrugës së shkencës dhe si arriti deri tek momenti kur ajo u kurorëzua me titullin më të lartë akademik – Doktor Shkence (Teknologji) nga Universiteti Teknologjik i Lapenrantës në Finlandë.
Ajo tregon se viti 2011, e gjeti duke punuar si inspektore e shtetit në Departamentin e Inspektoratit për Mbrojtje të Mjedisit dhe Ujërave pranë Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në Kosovë.
“Paraprakisht, unë kisha kryer studimet themelore dhe më pas edhe studimet Master (MSc) në Kimi Inxhinierike, por dëshira për të bërë hulumtime shkencore në ndonjë universitet ndërkombëtar nuk u ndal kurrë. Duke e parë nevojën e madhe për hulumtim në aspektin e mbrojtjes së mjedisit në përgjithësi dhe të ujërave në veçanti në shtetin e Kosovës, unë isha e përkushtuar për të kontribuar veqanërisht në trajtimin e ujërave të zeza, kështu që fillova të shkruaj një projekt propozim për të studiuar më tutje… pastaj aplikova në programin “Erasmus Mundus” – program i BE-së (thirrja e dytë për vitin akademik 2011)”, tregon ajo për Telegrafin rrugën e saj të suksesit, shkruan “Telegrafi”.
Ajo tha se për sukseset tashmë janë dëshmuar para botës, dhe se sipas saj, tani kemi nevojë që Kosova të ketë më shumë femra në pozitat akademike, në shkencë dhe teknologji. “Kosovës i duhen më shumë kuadro, më shumë femra doktor shkence në fushat inxhinerike dhe teknologji, si p.sh. në fizikën nukleare, në kiminë inxhinierike dhe proceset kimike, në inxhinerine industriale, në energjinë alternative, në inxhinerinë mekanike, në shkencat kompjuterike, në robotikë dhe inteligjencë artificiale, etj. E kjo arrihet vetëm me punë, përkushtim, pasion, kureshtje, hulumtime të pareshtura deri në finalizim të studimeve ne fushat përkatëse”, u shpreh ajo.