Bylbyl Duraku, studenti që u mbijetoi torturave çnjerëzore serbe dhe masakrës së Dubravës

24 maj 2023 | 12:02

Nga Qemajl Krasniqi

Ish i burgosuri politik, i mbijetuari i masakrës në Burgun e Dubravë, regjimin serb e krahason me atë të luftës së dytë botërore nazizmit hitlerian

Bylbyl Duraku nga Krusha e Madhe ka vuajtur nëpër burgjet serbe dy vjet e gjashtë muaj  dhe gjatë asaj kohe ka përjetuar tortura e abuzime nga më të tmerrshmet. Ai rrëfen në vetën e parë për përjetimet e tij, mirëpo rrëfimi i tij nuk është vetëm personal, sepse metodat e aplikuara, mjetet e përdorura dhe qasja e serbëve ndaj shqiptarëve është e njëjta për më shumë se një shekull – torturë, vrasje, mizori, dhunë çnjerëzore, keqtrajtim psikik e fizik, me tendencë asgjësimin e një populli autokton. Bylbyli u mbijetoi torturave fashisoide serbe dhe i mbijetoi edhe masakrës në Dubravë. Vendin ku është mbajtur ai dhe shqiptarët tjerë ai nuk e quan burg, por një lloj kampi përqendrimi nacist ku bëhen eksperimente me trupat e shqiptarëve dhe ku është ushtruar dhunë e shfrenuar sistematike.

– Pasojat i kemi vuajtur vazhdimisht për shkak të qëndrimit tonë si familje kundër regjimeve antishqiptare. Babai, Abdurrahmani të cilin e kanë njohur të gjithë si baca Mon, si i ri kishte dalë në mërgim ku pjesën më të madhe të jetës e kishte kaluar në Gjermani. Babai ynë ishte antikomunist i përbetuar ndoshta edhe pse  babai i tij Halili kishte qenë në shënjestër të regjimit komunist jugosllav duke u dënuar me 1 vit e gjysmë burgim dhe duke ia konfiskuar mbi 16 hektarë truall e tokë në vitin 1950. Me siguri kjo ka qenë njëra ndër arsyet, dhe jo e vetmja, që babai Mon vazhdimisht na ka porositur që të kemi kujdes me kë shoqërohemi, sepse pushteti komunist mund të bëntë kurthe të ndryshme.  Nëna ime Mihanja femra e parë e shkolluar nga treva e Llapit, vajza e Met Podjevës  (patriot dhe njeri i dalluar në atë anë) e kishte të kryer Normalen e Prishtinës, e nis rrëfimin e tij Bylbyl Duraku, ish-kryetar i Unionit të Studentëve në Shkollën e Lartë Pedagogjike “Xhevdet Doda” në Prizren.

Në vitin 1998 studioja në degën e Gjuhës dhe Letërsisë Angleze në Prizren.  Protestat e 1 tetorit 1997 i dhanë dimension të ri rezistencës në Kosovë. Kemi organizuar protesta dhe aksione të ndryshme kundër pushtimit serb. Nuk e bëja këta vetëm pse isha shqiptar, por doja të luftoja për dinjitetin dhe lirinë time. Ndërkohë patëm rënë në kontakt me persona të UÇK-së dhe nisëm të interesohemi për të organizuar rezistencën kundër pushtuesit serb. Në mik yni Refik Çollaku nga Bregdrini na e kishte siguruar armatimin dhe municionin me mjetet e tij vetanake. Planifikonim të kryenim aksione të armatosura kundër regjimit serb. Na arrestuan më 23 maj 1998. Në grup kishim tri vajza dhe gjashtë djem; Haqif Ilazi, Sherif Ilazi, Sejdi Bellanica, Dëfrim Rifaj, Leonora Morina-Duraku (tani bashkëshortja ime), Jehona Krasniqi, Behare Tafallari dhe Njazi Kryeziu. Na akuzuan për terrorizëm dhe bashkim kundër shtetit, sipas nenit 136 lidhur me nenin 125, alineja 1 e 2, bashkim për veprimtari armiqësore kundër shtetit dhe terrorizëm.

TORTURA ISHTE MJETI I VETËM I KOMUNIKIMIT TË HETUESVE SERB

Gjatë hetimeve në Prizren na kanë rrahur në mënyrë barbare tri ditë e tri netë pa pushim. Torturat intensive na kishin dërrmuar dhe mezi mbijetuam. Nuk kanë pushuar as ditën, as natën torturat. Na mbanin lidhur me pranga tërë kohës duke na poshtëruar e goditur me gjithfarë mjetesh. Torturat kanë qenë të tmerrshme. Aq rëndë na kanë torturuar saqë nuk kam mundur të qëndroj në këmbët e mia, por është dashur që dikush të më mbajë për krahësh ose të më tërheqin zvarrë. Shokët më kanë thënë se i kanë futur edhe në korrent në elektroshok. Mua jo. Pas përfundimit të hetimeve nuk na kanë rrahur aq shumë, por dhuna dhe presioni psikologjik ka vazhduar sistematikisht.

Më 24 gusht 1998 më dënuan me pesë vjet e gjysmë burg. Nga data 12 korrik 1998 deri sa më transferuan në Nish kam dëgjuar britma të tmerrshme të njerëzve që torturoheshin vazhdimisht. Torturat zgjatnin gjatë gjithë kohës, ndërrim pas ndërrimi dhe asnjëherë nuk pranin. Britmat dhe ofshamat e njerëzve dëgjoheshin thekshëm. Nuk kishte asnjë moment qetësie dhe për neve kjo ishte torturë shtesë, ngase e kishim kaluar atë ferr para atyre njerëzve fatkeq. Nuk mund të rrëfehet gjithë ai tmerr. Nuk e di ta kemi pasur një moment qetësie gjatë asaj kohe. Gjatë qëndrimit në burgun e Prizrenit, edhe kur na vinin për vizitë prindërit, torturat nuk pushonin. Prindërit tanë dëgjonin britmat e atyre të burgosurve shqiptarë që torturoheshin mizorisht. Prindërit i dëgjonin britmat dhe sikur nuk donin ta besonin se njerëzve po ju ndodhte një gjë e tillë. Edhe pse populli ynë i kishte të njohura metodat barbare serbe mbi shqiptarët. Mirëpo, ne duhet të thoshim se nuk po na rrihnin, ndërsa britmat e njerëzve që torturoheshin dëgjoheshin qartë dhe zëshëm. Gardianët na qëndronin mbi kokë gjatë kohës sa zgjaste vizita dhe nëse dikush guxonte të fliste “më shumë nga sa duhej” e pësonte keq më pastaj. Nuk dëshiroja që prindërit e mi të dëgjonin britmat e njerëzve, por nuk bëja dot asgjë që të mos dëgjoheshin rënkimet e njerëzve të pafuqishëm. Madje, nganjëherë dëshiroja që ata të mos vinin fare në vizitë, vetëm për këtë shkak.

TRANSFERIMI NË NISH DHE “TUNELI” I TMERRIT

Në burgun e Prizrenit na mbajtën deri më 11 shtator 1998, nga ku na transferuan në Nish. Atje na mbajtën deri më 29 prill 1999. Në Nish na kanë zhveshur vetëm në brekë dhe na kanë rrahur me gjithfarë mjetesh që kishin. Çfarë eshpe shtazarake që kishin dhe sa të motivuar ishin të torturonin njerëz të lidhur dhe të pafuqishëm. Gardianët e kishin formuar të ashtuquajturin “tunel”, përmes të cilit ne duhet të kalonim. Dikush arrinte të dilte me më pak dajak, por shumica rrëzoheshin dhe vaj halli për ata që binin në tokë. Njerëzit ishin të gjakosur dhe të mavijosur në krejt trupin. Edhe nëpër qeli na kishin futur me ndonjë serb ordiner dhe torturat vazhdonin edhe aty. Dikush kishte fat dhe rastiste në ndonjë të burgosur serb më të përmbajtur dhe që nuk i torturonte shqiptarët. Mua më qëlloi një serb që kishte qenë paramilitar në Bosnje dhe ishte tepër agresiv. Vazhdimisht më provokonte me fjalë fyese, por ndoshta për fat që isha trupmadh hezitonte të më vërsulej drejtëpërdrejt. Vetëm njëri ndërrim ishte më i qetë. Na rrihnin edhe gjatë kohës kur hanim bukë. Në fytyrat e të burgosurve shiheshin hematoma, gjakosje dhe enjtje të fytyrës. Këto pamje ishin të zakonshme dhe dikur nuk na bënin më përshtypje.

Më kujtohet një moment me datë 31 mars 1999 kur na  zhvendosën nga një qeli në tjetrën, që quhej izolim. Më futën përmes “tunelit”. Në duar mbaja një pako me disa gjëra personale. Më nxorën nga qelia dhe gjatë gjithë kohës më godisnin deri sa rashë zvarrë. Mezi shpëtova. Më futën në një qeli ku kishte shumë persona dhe aty nuk kishim ku të shtriheshim. Na nxirrnin  nga qelitë tona dhe na rrahnin pa mëshirë. Na futnin në pjesën ku ishte izolimi dhe duart duhej t’i mbanim pas shpine e të mos e ngritnim kokën. Nëse konsideronin se nuk na kishin shkaktuar dhimbje mjaftueshëm na zhvishnin dhe na rrihnin deri në alivanosje. Më kujtohet se pas këtyre përjetimeve arrita të kthehem zvarrë në qeli dhe e futa kokën në filxhanin e toaletit që të freskohem. E lëshova pak ujin që të rridhte paksa. Vetëm ashtu më dukej se po merrja frymë, sepse mezi e hapja gojën.

Kam mundur të mbaj mend disa emra të atyre që na torturonin më së shumti, ndonëse edhe të tjerët nuk mbeteshin pas për nga ashpërsia e egërsia dhe dukej se bënin garë kush do të torturojë më shumë dhe me metoda më kreative. Shquheshin për sjellje brutale sidomos disa; njëri quhej Vojkan, një tjetër Pavlloviq, tjetri Spasiq, njëfarë Petriqi, kurse njëfarë Bixha, që ishte një lloj eprori, ishte ekzemplar për sjellje të ashpër dhe shumë armiqësore ndaj të burgosurve shqiptarë. Po ashtu ishte njëfarë Zhiviqi, pastaj njërin që e quanin Kuki, tjetrin Neniç, dhe secili ishte më i keq se tjetri. Më ngjanin me rojet gjermane në kampet naciste. Na torturonin rëndë dhe shpesh pa asnjë shkak.

NË DUBRAVË VDEKJA ISHTE KUDO

Më 29 prill 1999 nga burgu i Nishit na mblodhën dhe na ngarkuan nëpër autobusë. Na lidhën njërën dorë me njëri-tjetrin dhe na vendosën në rresht. Fillimisht na dërguan në burgun e Lipjanit, por ne nuk e dinim se e kishin në plan të na dërgonin në Dubravë. Pasi që ishte bombarduar nga NATO ura e Llazicës, autobusët bënë një kthim prapa dhe na dërguan në Lipjan. Gjatë gjithë kohës ishim të lidhur me pranga dhe askush nuk guxonte të ngrinte kokën për të parë anash apo përpara. Duart na ishin mpirë dhe disave u rridhte gjaku, pasi që na i kishin shtrënguar shumë prangat.  Gardianët na ruanin me rreptësinë më të madhe dhe kush guxonte të bënte lëvizjen më të vogël pasonte ndëshkimi fizik brutal. Paramendojeni sa gjatë na është dashur të rrimë pa lëvizur dhe pa pasur asnjë mundësi madje as për të kryer nevojat personale. E kemi dëgjuar një shpërthim të fuqishëm dhe për një moment gardianët dolën nga autobusi dhe na lanë vetëm. E kuptuam se NATO i kishte bombarduar serbët. Aty ku ishim ne dhe një tjetër autobus me të burgosur shqiptarë na kthyen dhe na dërguan në Lipjan.

Të nesërmen, me 30 prill 1999, në hyrje të burgut të Dubravës ishin rreshtuar shumë roje dhe paramilitarë, të cilët e nxirrnin ndonjërin prej nesh dhe e grushtonin, e shtrinin përtokë duke e goditur me shqelma në mënyrën më brutale të mundshme.  Deri më 17 maj i grumbulluan shumë të burgosur shqiptarë në Dubravë, duke i sjellë nga burgjet e Serbisë.

Më 19 e 21 maj kanë rënë bombat e  NATO-s, me ç’rast u vranë disa të burgosur shqiptarë dhe u plagosën disa të tjerë. Me ato pak mundësi që kishim u ofronim ndihmë të plagosurve. Rojet e burgut u larguan nga ndërtesa dhe u vendosën në afërsi, duke vëzhguar lëvizjet tona. Në njëfarë mënyre ne e morëm nën kontroll burgun. Ushqeheshim vetë dhe nuk shihnim roje gjëkundi. Njerëzit flitnin shumë rrallë dhe vetëm ndonjëri aty-këtu merrte mundimin të tregonte apo hapte ndonjë temë. Nuk kishim asnjë mundësi ta bënim ndonjë plan. Vetëm pritnim se ç’do të ndodhte me ne.

Më 22 maj, në mëngjes herët, përmes altoparlantit, na ftuan që të dalim jashtë dhe të marrim sendet personale. Na thanë se do t’na dërgonin në një vend tjetër. Menduam se ashtu do të jetë me të vërtetë. Grupi ynë qëndronim të bashkuar; Sherif Ilazi, Dëfrim Rifaj, Sejdi Bellanica, Haqif Ilazi, Nijazi Kryeziu dhe unë. Me ne qëndronte edhe  Xhevat Daci, shqiptar nga Mali i Zi. Dolëm jashtë dhe u rreshtuam disi, jo në formë të rregullt. Ndërkohë Shefir Ilazi më tha se kishte një parandjenjë të keqe dhe se na kishin rreshtuar për t’na vrarë.  E pashë për një fraksion të sekondit kur një gardian serb u ngrit nga kulla e vrojtimit me një granatahedhës krahu që e drejtoi kah ne. E kuptova se Sherifi pati të drejtë. Turma u shpërnda në panik. Granata eksplodoi në mesin e të burgosurve dhe gjymtyrët e njerëzve u hodhën gjithandej. Më pas pasuan të shtëna të pandërprera me pushkë automatike, mitralozë dhe armë të tjera. Shihja teksa para  këmbëve të mia binin trupat e shokëve nga breshëria e të shtënave të serbëve. Plumbat binin mbi kokat tona si kokrrat e breshrit.  Njerëzit binin si kallinj gruri kur kositen – të vdekur apo të plagosur. Sekush synonte të gjente një vend për ta futur kokën, por as nuk kishte një vend të tillë. Morëm arratinë dhe nuk e di as vetë si kam mundur të tërhiqem nga ajo plojë. Madje në duar kisha dy  qese të mëdha me rrobat e mia  dhe nuk më shkonte ndërmend as t’i hidhja e t’ia mbathja sa më shpejtë. Vetëm kur jam rrëzuar duke vrapuar kam vërejtur se kisha me vete ngarkesë, i kam lëshuar qeset dhe  kam vrapuar deri  te një hendek, ku kam qëndruar për disa sekonda.

Trupat e pajetë të të burgosurve dergjeshin nëpër oborr të burgut, ndërsa të plagosurit që rënkonin goditeshin me të shtëna të rralla. Sapo dëgjonim të shtënat tek e tek, e dinim se edhe dikush prej nesh u shua.  Kishim frikë se NATO do të bombardojë përsëri, prandaj bashkë me Sherif Ilazin së pari me drita të thyera të neonit e mandej kemi marrë disa batanije dhe e kemi shkruar në oborr të burgut me batanije HELP, duke besuar se pilotët do ta vërejnë dhe nuk do të hedhin bomba mbi ne, por tashmë bombardimet ishin ndalur.

SOLIDARITETI I TË BURGOSURVE NA  JEPTE FORCË

Moti ishte i mirë dhe kufomat nisën të dekompozohen shumë shpejt. Era e rëndë e mishit të kalbur të njerëzve përhapej gjithandej. Na i mbushte hundët dhe gojën. Më duket se edhe sot ajo erë e rëndë më kundërmon në hundë. Ishte e tmerrshme të mos kesh mundësi ta ndihmosh ndonjë shok të plagosur apo të tjerë që kishin frikë të madhe. Shumica kishin qëndrim stoik. Nuk kishim zgjidhje tjetër, pos ta inkurajonim njëri-tjetrin. Rezistenca jonë zgjati pak, sepse serbët kërkuan të mblidhemi në sallën e sportit dhe të mos mbanim në duar asgjë, ndryshe do të na vritnin. Duke kërkuar për të plagosur të tjerë i kam gjetur shtatë të vrarë në një kënd të bodrumit të shtëpisë së kulturës dhe një të plagosur të cilin e kemi nxjerrë jashtë, por fatkeqësisht edhe ai ka vdekur më vonë. Kufomat ishin gjithandej dhe kalonim skaj tyre e nuk na bënte përshtypje, sepse secili e ndjente se vdekja mund ta merrte në krahë në çdo moment. Habitesha me veten se si isha bërë i tillë, pothuajse pa ndjenja. Mua që më dhimbsej një pulë apo dele kur e prenin, shihja njerëz pa këmbë, me kokë të çarë, krejt të gjakosur e totalisht të deformuar nga plagët që iu kishin shkaktuar vdekjen e  krejt kjo nuk më bënte  përshtypje!?

Rreth 150 persona i kanë vrarë ato dy ditë, ndërsa 193 kanë qenë të plagosur. Këtë shifër e di mirë ngase vetë jam përpjekur të ndihmoj të plagosurit, duke iu lidhur plagët dhe duke iu dhënë kurajë për të përballuar dhimbjet. Serbët gjurmuan gjithandej të burgosurit dhe pasi vranë e bënë kërdi sa deshën, ndaluan për një çast. Ne u detyruam të mbyllemi në pavijonin C ku vazhduam të mjekojmë shokët e plagosur. Mirëpo, duhet potencuar faktin se të burgosurit qëndronin të fortë e i jepnim zemër njëri-tjetrit dhe besonim se ishte afër fundi i luftës dhe se serbët nga dëshpërimi i humbjes po e kryenin një masakër të tillë. Kishte edhe raste kur të burgosurit nuk i bënin dot ballë presionit të madh psikologjik dhe tentonin të vetëvriteshin ose edhe u vetëvranë. Njerëzit erdhën buzë dëshpërimit dhe nuk besonin se mund të duronin e përjetonin tortura e tmerre të tjera, prandaj edhe i dhanë fund jetës. Të paktë ishin ata që i dhanë fund jetës në këtë mënyrë.

Dëshpërimi i madh dhe frika e vazhdueshme nga vdekja e torturat kanë shkaktuar trauma të pashërueshme tek të burgosurit shqiptarë. Njerëzit futeshin në hapësira shumë të  ngushta vetëm për të gjetur një vend shpëtimi, por kishte raste kur gardianët, por edhe të burgosurit ordinerë serbë të armatosur, i gjenin dhe i ekzekutonin në ato strehimore të ngushta. Duke e parë një gjendje të tillë, kur fati ynë ishte në fije të perit mes jetës e vdekjes, u mobilizuam dhe provuam të bëjmë qëndresë. Të paktën të mos na vritnin pa asnjë rezistencë. Grupi ynë ,,Studentët e Prizrenit” (siç na quanin) rrëmbyem shufra hekuri dhe më vonë edhe disa të tjerë qëndruan në një krah të pavionit të gatshëm për t’u përballur me fatin. Pasi erdhën disa të burgosur nga kuzhina e burgut, ku po qëndronin  pjesa më e madhe e të burgosurve, na e përcollën lajmin se gardianët kishin kërkuan që të dalim ose përndryshe do të na pushkatonin të gjithëve. Filluam t’i mblidhnim të plagosurit, duke i dërguar në sallë të sportit.

MË DËRGUAN NË BURGUN E BEOGRADIT NË GJENDJE TË RËNDË FIZIKE E SHPIRTËRORE

Më 11 tetor 2000 më transferuan nga Pozharevci në burgun qendror në Beograd. Më dërguan në repartin psikiatrik, gjoja se nuk jam mirë me shëndet mendor. Nuk pranova të qëndroj aty dhe kërkoja  të kthehesha në burgun e Pozharevcit, prandaj edhe e kam thyer një derë. Mbaj mend se katër apo pesë gardianë më kanë rrëzuar për tokë dhe njëri prej tyre, përderisa isha me fytyrë për dyshemeje betoni, më ka goditur me shqelm në fytyrë dhe në atë moment i kam humbur ndjenjat. Vetëm kur jam përmendur e kam parë veten në spital, të lidhur për krevati me pranga. Vetëm njërën këmbë e kisha të lirë. Vinin gardianët dhe më rrihnin edhe të shtrirë në shtrat. Ngaqë nuk mund të bëja asgjë, e shaja me nënë një gardian që më godiste e më rrihte derisa alivanosesha.

Nuk mund ta hapja gojën, ngase  ma kishin thyer nofullën. Aq isha i lodhur saqë as duart nuk mund t’i  bashkoja. Ndërkohë më jepnin serum intravenoz. Më kanë thënë se në atë kohë kishin ardhur për vizitë prindërit katër herë, por në gjendjen që isha e mbaj në mend vetëm vizitën  e fundit. Isha lodhur shumë dhe mezi merrja frymë. M’i kishin marrë të gjitha rrobat e brendshme dhe  isha vetëm me pizhame e këmbëzbathur. Nëse nuk gaboj, njëfarë Sebastian Griecourt nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar nga Franca, vinte e më vizitonte. Një herë i thashë se kam ftohtë. Ai i hoqi nga këmbët çorapët e tij  e m’i dha. Në ato çaste edhe aq pak solidaritet më jepte zemër e shpresë.

NDONËSE ISHA ME FAMILJARËT E MI NUK E BESOJA SE ISHA I LIRË ME TË VËRTETË

Nuk mbaj mend shumë nga ajo periudhë e qëndrimit në spitalin e burgut. Nuk e di sa kohë kisha qëndruar atje. Isha dobësuar jashtëzakonisht shumë dhe kur ma sollën një dokument për ta nënshkruar nuk kisha mundësi as ta mbaja lapsin në dorë. Më bëhej se më kërkonin të bëhesha bashkëpunëtor i serbëve, prandaj nuk desha ta nënshkruaj. Mirëpo, përfaqësuesi i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar më sqaroi se po lirohesha. Nuk mund ta besoja. Nuk shihja mirë. Më bëhej se isha verbuar. Vetëm kur me veturën e Kryqit të Kuq më dorëzuan te familjarët në Merdarë, atëherë e besova se me të vërtetë isha përsëri i lirë. Kisha emocione të përziera.

Më dërguan në spitalin e Prishtinës dhe ma bënë një ekzaminim se mos isha sëmurë nga TBC-ja apo ndonjë sëmundje tjetër. Por nuk qëndrova aty, kërkova me ngulm të shkoja në shtëpi. Pas një muaj e gjysmë jam shtrirë në repartin Maksillofacial të QKUK-së. Më irritoi shumë fakti se një mjek më dërgoi në një sallë dhe aty ju jepte sqarime studentëve për gjendjen time shëndetësore, kurse një tjetër deshi të ma vendosë nofullën në vend duke mos ditur që kishte tre muaj që ma kishin thyer nofullën dhe duhej intervenim kirurgjik. Tragjikomike!

Dëshiroja që sa më parë të trajtohesha dhe të kthehesha në shtëpi. Nuk doja të qëndroja asnjë minutë larg shtëpisë dhe familjes sime. Më vonë më operuan dhe ma rregulluan nofullën, ndonëse ende nuk është në gjendjen më të mirë. Gjendja ime shëndetësore në atë kohë ishte e tmerrshme. Isha dobësuar shumë dhe mezi qëndroja në këmbë. Isha i zbehur i tëri dhe lëkura më ishte nxirë. Njerëzit vinin për vizitë, por shumicën nuk e njihja dhe nuk i dëgjoja mirë. Isha krejt i përhumbur. Nuk më besohej se isha në shtëpinë time. Nuk ka shkuar shumë kohë pas qëndrimit në spital, diku kah mesi i vitit 2001 kam gjetur punë dhe ndërkohë u jam kthyer studimeve që më kishin mbetur në gjysmë.

REGJIMIT SERB I KANË MUNGUAR VETËM DHOMAT E GAZIT SIKUR TË HITLERIT

Mendoj se regjimi serb nuk dallon nga regjimi nacist i Hitlerit. Vetëm dallon koha dhe mjetet në dispozicion. Mbaj mend se gjatë transferimit nga Dubrava për në Lipjan, më 24 maj 1999, autobusi u prish dhe neve na futën në një kamion bagëtish. Mushamaja ishte hapur në një anë, ndërsa ne i shihnim fëmijët serbë në Lipjan që na bënin me dorë me gjeste sikur donin t’na hiqnin kokën. Kjo dëshmon sa e thellë ishte urrejta e tyre ndaj shqiptarëve. Mendoj se atij regjimi i kanë munguar vetëm dhomat e gazit.

Burgu të  tjetërson dhe nuk mund të jesh vetvetja. Përvojat e rënda në burg dikë e kanë forcuar e dikë e kanë stërkequr. Nganjëherë bisedoj me disa shokë të vuajtjeve dhe qëndrimi ynë është se, kjo jetë për ne është si një shtesë apo “bonus”. Kemi mundur të vdesim të gjithë. Pesonalisht ndjej se jam përpjekur të jap kontributin tim për vendin, por nuk kam bërë mjaftueshëm. Më e mira do të ishte sikur të mos kishim rënë në duart e serbëve dhe të kishim vazhduar luftën me armë në dorë. Do të dëshiroja që të kisha dhënë kontribut më të madh për lirinë e Kosovës.

Mirëpo, sapo u liruam nga burgu na u shkatërruan ëndrrat. Liria nuk ishte ajo që e kishim imagjinuar. Të burgosurit nuk janë trajtuar në mënyrën më të mirë. Me ta është dashur të merret më seriozisht sistemi shtetëror dhe t’ju ofrohet një shans i dytë për jetë. Shoqëria nuk ka qenë e drejtë në raport me të burgosurit. Vetëm ata që kanë qenë në duart e serbëve mund ta dinë çfarë janë në gjendje të bëjnë ata mbi shqiptarët. Metodat e tyre barbare janë të denja për inkuizicionin mesjetar, por jo për një shtet që vetëquhet shtet e demokraci evropiane.

Mungesa e hapësirës së nevojshme ma pamundëson të jap më shumë kontribut dhe kjo më shqetëson së tepërmi. Konkurrenca e ashpër dhe e pandershme më mundon, ngase do të doja të bëj më shumë. Konsideroj se kam mundësi intelektuale e profesionale të bëj shumë më shumë për Kosovën.

Më ngushëllon fakti se Serbia nuk është më prezentë në Kosovë me polici e ushtri, por kjo nuk është e tëra që më bën më të lumtur. E di se është dashur të ketë rezistencë kundër pushtimit dhe ta bëjmë punën tonë, mirëpo disa sikur e shohin  veten shpëtimtarë të këtij populli, prandaj mendojnë se i meritojnë edhe privilegjet e padrejta. Rrethanat ndërkombëtare kanë bërë që Kosova ta ketë rastin e vet për të dëshmuar aftësi shtetformuese. Pseudo vlerat po dominojnë dhe ky është realitet i dhimbshëm. Mashtrimi, demagogjia dhe keqpërdorimet janë bërë pjesë përbërëse e jetës sonë dhe kjo më shqetëson më së tepërmi. Megjithatë jam optimist. Vazhdoj të luftoj me mundësitë dhe potencialin tim intelektual e profesional dhe mundohem të jap kontributin tim, aty ku punoj si mësimdhënës, në shkollën fillore “Abdyl Frashëri” në Prizren.

Nuk pres lëmoshë e as keqardhje nga askush, thjesht dua ta ndiej veten se trajtohem në mënyrë të drejtë dhe të barabartë si qytetar i Republikës së Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bostoni fitoi me rezultat 116-99 ndaj Miamit në finalen e…