Byrnes për komunikatën 63: Dokument politik që kishte për synim ta vendos në pozitë të favorshme shtabin e përgjithshëm të UÇK-së
Dëshmitari dhe ish-diplomati amerikan, Shaun Byrnes u pyet nga trupi gjykues në Hagë për një komunikatë që pretendohet se është lëshuar nga shtabi i përgjithshëm i UÇK-së dhe mban numrin 63 dhe datën 27 nëntor 1998.
Byrnes tha se këtë dokument nuk e kishte parë më herët përveç së fundi në Hagë. Sipas tij, ky ishte një dokument politik që ta vendoste në pozitë të favorshme shtabin e përgjithshëm të UÇK-së, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Unë mund të ju them këto; në thelb ky është dokument politik i cili ka për synim ta vendos në pozitë shumë të favorshme shtabin e përgjithshëm të UÇK-së në sytë e ndërkombëtarëve. Në veçanti për misionin e OSBE-së që ishte duke u krijuar. Unë jam i bindur që amnistia që ka dekretuar Shtabi i Përgjithshëm për dy gazetarët e ‘Tanjug’-ut ka qenë si rezultat i presionit që iu është bërë Trojkës dhe përmes Trojkës, Shtabit të Përgjithshëm”, tha ai.
I pyetur nga gjyqtari Guenawl Mettraux se a thuhet në këtë dokument që shtabi i përgjithshëm ka vendosur për lirimin e gazetarëve të “Tanjug”-ut dhe dy aktivistëve të LDK-së, dëshmitari e pohoi një gjë të tillë.
“Kështu thuhet në dokument”, tha Byrnes, duke shtuar se sipas dokumentit ky lirim kishte ndodhur sipas një amnistie.
Ndërs në dokumentin që u bë publik edhe për audiencën, thuhej se shtabi i përgjithshëm i UÇK-së në nder të festave të nëntorit, ka vendosur që t’i amnistojë një numër të burgosurish, në mesin e tyre edhe dy gazetarët e “Tanjug”-ut.
“Shtabi i përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për nder të festave të nëntorit vendosi t’i amnistojë një numër të të burgosurish në mesin e tyre dy gazetarët e ‘Tanjug’-ut dhe dy aktivistët e LDK-së nga Malisheva. Gazetarëve ju ndërpre vuajtja e dënimit, kurse aktivistëve të LDK-së, iu ndërpritet paraburgimi, por hetimet iu vazhdojnë”, thuhej në dokument.
Tutje, në këtë dokument thuhej se lirimi i të lartpërmendurve bëhet më 27 nëntor 1998 në prani të vëzhguesve ndërkombëtarë.
“Lirimi i të përmendurve bëhet më 27 nëntor 1998, në prani të vëzhguesve ndërkombëtarë. E bëjmë këtë për të dëshmuar edhe njëherë se ashtu si nuk e kemi dëshiruar luftën që na është imponuar, nuk i duam as burgjet e as të kemi të burgosur. Jemi për paqen aq sa jemi të vendosur për lirin dhe pavarësinë e popullit dhe atdheut tonë. Me këtë akt, si edhe me aktet tjera të ngjashme, Ushtria Çlirimtare e Kosovës po dëshmon se njeh dhe respekton konventat ndërkombëtare të luftës e të paqes, se njeh dhe respekton mekanizmat relevante të bashkësisë ndërkombëtare dhe të BE-së. Por, kërkon nga faktorët në fjalë që detyrojnë regjimin e Beogradit që t’i respektojë konventat ndërkombëtare dhe luftës e paqes”, thuhej në dokument.