Bytyçi: Thaçi dhe Krasniqi kanë marrë pjesë në diskutimet për demilitarizimin e UÇK-së, për Veselin s’e di saktësisht
Dëshmitari Nuhi Bytyçi, ka thënë se Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi kanë marrë pjesë në diskutimet për demilitarizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në qershor të 1999-s, kurse për Kadri Veselin ka bërë me dije se nuk e di saktë.
Këtë deklarim, Bytyçi e ka bërë duke u përgjigjur në pyetjet e fundit të prokurorit Matt Halling, i cili e ka pyetur nëse e dinte se ka qenë Veseli në ato bisedime, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Unë nuk e di saktësisht se a ka marrë pjesë konkretisht zotëri Veseli në diskutimet për demilitarizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por e di se zotëri Thaçi dhe zotëri Kransiqi kanë marrë pjesë dhe i kanë harmonizuar qëndrimet bashkë me ish-zëvendëskryetarin Amerikan të Shtetit, Xhejms Rubin në Fshatin e Ri dhe Divjakë. Pastaj, marrëveshja është nënshkruar më 21 qershor 1999 në bazën e KFOR-it në Prishtinë në mes të Thaçit dhe gjeneralit të KFOR-it, Mike Jackson”, ka thënë dëshmitari Bytyçi.
Më pas, dëshmitarit i është prezantuar një fotografi e bërë më 17 qershor 1999, në të cilën ai identifikoi Kadri Veselin, një anëtar i misionit vëzhgues amerikan dhe Shefin e Shërbimit Informativ Shqiptar, Fatos Klosin.
Me kaq kanë përfunduar pyetjet e prokurorit Halling për dëshmitarin Bytyçi për të vazhduar më pas me avokatin e Thaçit, Luka Mishetiq.