Bytyçi thotë se gjatë punës si gazetar ka paraqitur nivel organizimi dhe pushteti të UÇK-së që nuk ishte në realitet
Gjatë dëshmisë së tij dëshmitari Nuhi Bytyçi, ka pohuar se gjatë punës së tij si gazetar ka treguar një nivel organizimi dhe pushteti të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) që në fakt nuk ishte realiteti i asaj kohe.
Fillimisht kjo pyetje i është bërë nga avokati i Rexhep Selimit për të cilën dëshmitari u përgjigj duke thënë ‘po ashtu është’.
Dëshmitari ka thënë se gjatë punës së tij më së shumti ka vepruar në zonën e Pashtrikut e që në librin e tij ai e kishte portretizuar si zonën më të organizuar.
Ai ka thënë se në këtë zonë, ka qenë raportimi në nivel sepse aty kanë vepruar edhe “Radio Evropa e Lirë” edhe agjencia “Kosovapress” dhe disa institucione të lira në atë periudhë të luftës.
“Ju thatë: Pasi unë dhe Abazi nuk kishim shumë përvojë në xhirime, por unë doja që ta portretizoja UÇK-në më të emancipuar, me urbane, më të fortë”, ka thënë avokati Tully më pas.
Nuhi Bytyçi, ka thënë se qëllimi i tyre ishte që ta portretizojnë UÇK-në në mënyrë sa me serioze duke treguar se kishin xhiruar dy herë betimin solemn e që me xhirimin e njërit prej tyre ishin të pakënaqur.
“Qëllimi jonë ishte që ta prezantojmë në mënyrë sa më serioze Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës para opinionit shqiptar por edhe atij ndërkombëtar. Ne provuam që ta bëjmë një xhirim në Luzhnicë të betimit. E bëmë një xhirim, por ne nuk ishim të kënaqur me atë xhirim, për këtë arsye e kemi organizuar xhirimin në Kleçkë më 26 qershor të viti 1998 duke i sjellë shumë ushtarë edhe nga zonat e tjera edhe nga Drenica edhe nga brigadat e tjera të Zonës së Pashtrikut dhe Drenicës”, ka thënë dëshmitari Bytyçi.