Bytyqi: Arsimi nuk është vendi ku palët do të duhej të tregojnë muskujt
Ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka deklaruar se plotësimi i orëve të humbura si pasojë e grevës së punëtoreve të arsimit, po bëhet një sfidë më vete.
Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës lidhur me plotësimin e orëve të humbura si pasojë e grevës së organizuar nga SBAShK-u, ai ka treguar se kjo grevë ka shkaktuar pasoja në sistemin arsimor.
“Kam pritur ndjeshmëri më të madhe të tyre për humbjet që po ua shkaktonin nxënësve e studentëve, ngase unë kam qenë përgjatë gjithë atyre zhvillimeve i hapur me ta, sikur dhe në konsultë e harmonizim me Kryeministrin, ministrat e deputetët, palët të cilët kishin të bënin me zgjidhjen që u ofruam. Mosrealizimi i programit mësimor është cilësi e munguar dhe kjo cilësi e munguar po na dëmton, e do të na dëmtojë në të gjitha planet, qoftë për arritshmërinë, qoftë për standardet”, ka thënë Bytyqi, duke shtuar se pritjet rreth cilësisë në arsim nuk po përmbushen.
“Tashmë, ne jemi në një rrethanë jo të mirë. Ambiciet tona për arritshmëri cilësie nuk mund të përmbushen duke mosrealizuar programet mësimore. Arsimi nuk është vendi ku kushdo nga palët do duhej të tregojë muskujt”, është shprehur ministri.
/Epoka e re/