Bytyqi dhe Apostolova bashkëbisedojnë me nxënësit e gjimnazit “Xhevdet Doda” në Prishtinë
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), Shyqiri Bytyqi dhe shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova kanë hapur edicionin e diskutimit me nxënës “EU Teach a Day” në Gjimnazin “Xhevdet Doda”, në Prishtinë.
Përmes kësaj ligjërate, ata i ftuan nxënësit që të studiojnë në ato fusha, ku Kosova ka mungesë të kuadrove dhe të shikojnë perspektivën evropiane të vendit.
Ministri Shyqiri Bytyqi ka thënë se Ministria e Arsimit është e përkushtuar në ofrimin e kushteve sa më të mira për të rinjtë në Kosovë, ndërsa i sugjeroi ata që të këshillohen dhe të identifikojnë talentin e tyre, përpara se të përzgjedhin profesionin.
“Duke u orientuar në karrierë ju do të jeni lider të ardhmes tonë, mos ngurroni të kërkoi përkrahjen tonë që vërtetë ju të orientoheni drejtë dhe të jeni e ardhmja”, u shpreh ministri.
Ministri Bytyqi ka theksuar se të rinjtë duhet të shohin edhe përparësitë e sektorit privat të punës dhe në këtë mënyrë të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik, për të cilin Kosova ka nevojë.
Duke folur për rëndësinë e përcaktimit në karrierë, ministri foli për fushën e energjetikës, si një ndër sektorët me perspektivë në të ardhmen, pasi parashihet që të investohen miliona. “Ka shumë vende pune, por kemi mungesë të rinjve në ato drejtime”, ka thënë ministri Bytyqi.
Bytyqi ka shtuar se sistemi i edukimit nuk ka arritur maksimumin, por perspektiva evropiane e të rinjve është e garantuar.
Ndërsa, shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka folur për procese të rëndësishme në rrugëtimin e Kosovës drejt Evropës dhe rëndësinë e orientimit të të rinjve në karrierë.
Apostolova ka theksuar se po hapet një edicion për të diskutuar për edukimin në Kosovë, të ardhmen e nxënësve dhe orientimin në profesionin që ata e duan.
/Epoka e re/