Bytyqi: Do të angazhohemi që t’u sigurojmë fëmijëve tanë të ardhme më të sigurt

20 nëntor 2018 | 15:09

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, së bashku me shefin Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Murat Sahin dhe kryetarin e Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, kanë vizituar shkollën fillore “Mustafë Venhari” në Vushtrri.

Kjo vizitë u realizua në kuadër të aktiviteteve që po zhvillohen kudo në botë dhe në Kosovë, për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Konventës për të Drejtat e Fëmijëve, me ç’rast morën pjesë në një orë mësimi kushtuar kësaj ngjarje.

Ministri Bytyqi, ndër tjera është shprehur se, kjo ngjarje është e veçantë për fëmijët tanë dhe të gjithë botës dhe ka theksuar nevojën e angazhimeve të përbashkëta me qëllim që të krijojmë një ambient të lumtur dhe perspektivë të ndritshme për fëmijët. “Sot është një ditë e veçantë për fëmijët e gjithë botës ndërsa jemi këtu për të shënuar këtë ngjarje së bashku me nxënësit e shkollës fillore në Vushtrri, ku për disa çaste edhe diskutuam lidhur me angazhimet që po i bëjmë në vazhdimësi. Ne do të angazhohemi në vazhdimësi që t’u sigurojmë fëmijëve tanë një të ardhme më të sigurt, një edukim cilësor, t’u sigurojmë një ambient sa më të mirë, që fëmijët tanë të zhvillohen sikurse fëmijët e Evropës dhe gjithë botës”, ka deklaruar ministri Bytyqi.

Ndërsa shefi i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Murat Sahin, ka thënë se ndjehet i lumtur që së bashku më fëmijët e kësaj shkolle po e shënojnë këtë ngjarje të nivelit global.

Ai ka shtuar se UNICEF-i angazhohet çdo ditë e kudo në botë që të mbështesë fëmijët në rritën e tyre, në edukimin sa më cilësor dhe perspektivën e tyre në jetë.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetarja e Alternativës, deputetja e Kuvendit të Kosovës, Mimoza Kusari-Lila,…