Bytyqi: Do të largohen nga çerdhet lodrat e rrezikshme të tregut aziatik
Ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), Shyqiri Bytyqi, ka pritur të hënën në takim ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, me të cilin ka biseduar për hapat që duhet të merren ndaj lodrave të tregut aziatike të cilat kanë rezultuar me veti të rrezikshme.
Me këtë rast ministri Bytyqi ka thënë se do të kërkojë nga të gjitha çerdhet publike dhe private që funksionojnë në Kosovë që t’i largojnë të gjitha lodrat e tregut aziatik për shkak të rrezikshmërisë së tyre.
“Shëndeti i fëmijëve tanë është mbi të gjitha. Siç e dini Ministria e Tregtisë dhe Industrisë para pak ditësh ka marrë rezultate shqetësuese të analizave të lodrave nga tregu aziatik. Nga 15 mostra që MTI i ka dërguar për analizë, ka rezultuar se 12 prej tyre kanë veti të rrezikshme, madje mund të çojnë deri në sterilitet. Pikërisht, për të biseduar dhe për tu njohur më nga afër me rezultatet, sot prita në takim kolegun tim, ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, z. Bajram Hasani. Pas u informova për rezultatet shqetësuese nga ministri Hasani, do të kërkoj nga të gjitha çerdhet publike dhe private që funksionojnë në Kosovë që t’i largojnë të gjitha lodrat e tregut aziatik dhe të mos dëmtojmë edhe më tej shëndetin dhe të ardhmen e fëmijëve tanë. Për të zgjidhur sa më parë këtë çështje, do të bashkëpunojmë ngushtë edhe me Drejtoritë Komunale të Arsimit në nivel vendi”, ka shkruar Bytyqi në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/