Bytyqi: Drejtorët e shkollave duhet të jenë gardianë të cilësisë në arsim
“Inspektorati i Arsimit në Kosovë – Gjendja e tanishme dhe zhvillimi i mëtejshëm”, është tema e diskutimit në punëtorinë dyditore që po mbahet në Prishtinë, organizuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) në bashkëpunim me GIZ-in.
Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, është shprehur se kjo punëtori është ndër më të rëndësishmet që kur mban këtë pozitën e ministrit.
Sipas tij, Ligji i ri për inspektoratin do të ndikojë në përmirësimin e gjendjes në arsim.
Po ashtu, ai ka treguar se cilët janë faktorët që ndikojnë në përmirësimin e cilësisë së arsimit.
“Inspektorati i arsimit duhet të luajë një rol kyç në përmirësimin e cilësisë. Për ta arritur këtë inspektorati duhet të jetë një familje, konsideroj nga ministria deri tek mësuesit duhet të jemi një familje. Ju e keni rolin kyç për këtë mision. Ne e dimë që nuk mund të vijnë rezultatet pozitive menjëherë”, ka thënë Bytyqi.
Ai ka thënë se drejtorët e shkollave duhet të jenë gardianë të cilësisë në arsim. “Janë këta dy faktorë të rëndësishëm që do të bëjnë që të arrihet cilësia në arsim. Tek drejtorët jemi të vendosur, ne do të tentojmë që të gjejmë zgjidhje ligjore që drejtorët të jenë profesionist dhe jo politik”, është shprehur Bytyqi.
/Epoka e re/