Bytyqi: Ende duhet punë për përmirësimin e pozitës së femrës në shoqëri
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka marrë pjesë në Konferencën e organizuar nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, me rastin e shënimit të 8 Marsit – Ditës Ndërkombëtare të Gruas, me temën: “Gratë në Universitetin e Prishtinës-mundësitë, përparësitë, e ardhmja”.
Ministri Bytyqi, me këtë rast, ka falënderuar Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” për organizimin e kësaj Konference të rëndësishme dhe theksoi se roli i gruas në çdo shoqëri është esencial për zhvillimin e familjes, e cila është baza e shtetit.
Ministri Bytyqi e ka vlerësuar lartë kontributin e çmuar të gruas edhe në rritën dhe zhvillimin e Universitetit të Prishtinës, ndërsa përmendi faktin se arsimimit të vajzave po i kushtohet shumë rëndësi dhe ato sot janë mësimdhënëse, dekane, shkencëtare.
Ministri Bytyqi, po ashtu, tha se në Ministrinë e Arsimit po punohet shumë që diskriminimi gjinor të zhduket nga tekstet shkollore dhe përmes kurrikulave të vetëdijesohen gjeneratat e reja. “Sot kemi shumë vajza që studiojnë dhe tregojnë suksese në universitete me renome dhe na bëjnë të krenohemi me të arriturat e tyre”, është shprehur ai.
Ministri Bytyqi, theks të veçantë i ka vënë edhe përkushtimit shoqëror në përmirësimin e pozitës së gruas, duke rikujtuar rrethanat e pafavorshme të të drejtave të gruas në të kaluarën, sidomos sa i përket qasjes në arsim.
“Një e drejtë elementare, e cila u fitua ndërkohë, ishte e drejta për arsimim. Edhe në vendin tonë, nuk mungoi asnjëherë angazhimi për të përmirësuar pozitën e gruas. Nuk ishte e lehtë, sepse fillimisht duhet të zhdukej analfabetizmi në shoqërinë tonë, dukuri që e kishte vështirësuar tej mase lirinë dhe veprimin e gruas”, ka deklaruar ministri Bytyqi, ndërsa ka theksuar se tashmë situata ka ndryshuar për të mirë, por ende duhet punë e përbashkët për përmirësimin e pozitës së femrës në shoqërinë.
Në këtë konferencë morën pjesë edhe ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapsinor, Albena Reshitaj dhe rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.