Bytyqi: Greva e SBASHK-ut do të shkaktonte dëme në prag të PISA-s
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Shyqiri Bytyqi, priti në takim përfaqësuesit e SBASHK-ut , me të cilët bisedoi rreth grevës së paralajmëruar nga kjo sindikatë.
Siç njofton komunikata e dërguar nga kjo ministri, takimi u bë lidhur me shqyrtimin nga Qeveria dhe dërgimin për procedim në Kuvendin e Republikës së Kosovës, Ligjin për Punëtorët e Arsimit Shqip që punuan në vitin shkollor 1990-1999, para datës 13 prill të këtij viti.
Bytyqi ka thënë se e çmojnë kontributin e mësimdhënësve të viteve të 90-ta dhe tha se është angazhuar maksimalisht që ky ligj të shtyhet para dhe të procedohet sa më parë në Kuvend për miratim.
Bytyqi gjithashtu kërkoi nga kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj, të shqyrtoj të gjitha mundësitë për anulimin e grevës së paralajmëruar .
“Ne jemi në vlugun e përgatitjeve për realizimin e testit PISA 2018 e që është me interes kombëtarë, ndërsa greva e paralajmëruar përkon me fillimin e këtij procesi, ndërsa mbajtja e grevës në këto momente do të na shkaktonte dëme të pariparueshme, aq më parë kur nxënësit më shumë se kurrë janë vetëdijesuar për rëndësinë që ka ky test ndërkombëtar i dijes”, ka thënë Bytyqi.
Në vazhdim, ministri Bytyqi , theksoi se kërkesat e SBASHK-ut janë legjitime dhe se do të angazhohet që kjo çështje të rregullohet ashtu siç duhet.