Bytyqi ka një lajm të mirë për të diplomuarit në FShMN (Dokument)
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), Shyqiri Bytyqi, ka marrë vendim që të gjithë të diplomuarit të nivelit bachelor në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore (FShMN), departamenti i Biologjisë, drejtimi “Biologji aplikative” dhe ai “Biokimiko-Fiziologjik” të vijojnë mësimet në modulin e lëndëve të kimisë.
Ai nëpërmjet llogarisë së vet në “Facebook”, ka bërë me dije se kandidatët e diplomuar pas ndjekjes se këtyre moduleve do ta marrin titullin laborant i lart mjekësor.
Postimi i plotë i Bytyqit:
Të dashur miq,
Po ndaj me ju një vendim të rëndësishëm, që zgjidh një problem ndër vite, vetëm në mungesë të vendosmërisë për trajtimin e rasteve nga institucionet tona përkatëse.
Në bazë të nevojës për rregullimin e çështjes së studentëve, të cilët kanë përfunduar studimet e ciklit bachelor (themelor) në Fakultetin e Shkencave Matematiko Natyrore, Departamenti i Biologjisë, drejtimi “Biologji aplikative” dhe “Biokimiko – Fiziologjik”, kam marrë vendim që këtyre studentëve t’ua mundësojmë që të ndjekin edhe një modul në lëndët klinike, në mënyrë që pas mbarimit të modulit në fjalë të marrin titullin “Laborant i lartë mjekësor”.
Ky vendim është shumë i rëndësishëm për faktin se pas mbarimit të këtij moduli, studentët në fjalë kanë të drejtë t’u nënshtrohen procedurave të licencimit në Ministrinë e Shëndetësisë, e që pas shumë viteve në pritje, do tu hapë rrugë atyre për një vend pune në profesionin e tyre.
Gjithashtu, një lajm tejet i mirë që prekë këtë kategori të studentëve është se Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë do të mbulojë 50% të tarifës së shpenzimeve për realizimin e këtij moduli.
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë mbetet e përkushtuar që t’iu dalë krahë të gjithë studentëve që për vite të tëra, pa ndonjë arsye apo me, u janë mohuar apo shkelur të drejtat e tyre.
/Epoka e re/