Bytyqi kërkon mobilizim për testin PISA 2018
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka marrë pjesë të hënën në takimin e radhës për testin PISA 2018, i cili është mbajtur me koordinatorët e shkollave të rajonit të Prishtinës, të cilat shkolla janë përzgjedhur për të marrë pjesë në këtë test ndërkombëtar.
Ministri Bytyqi ka kërkuar mobilizimin e të gjithëve, duke filluar nga MAShT-i e deri te prindërit dhe nxënësit, në mënyrë që të arrihen rezultate sa më të mira në testin PISA.
Ai ka theksuar se është e ditur që për një periudhë kaq të shkurtër nuk mund të ngritët cilësia në arsim, por tha se duhet të rrisim vetëdijesimin për rëndësinë e testit.
“Edhe nxënësit duhet ta kuptojnë se në këtë test nuk e përfaqësojnë vetëm veten e tyre, por e përfaqësojnë vendin me rezultatet që arrijnë. Prandaj, kërkoj nga ju që në ditët që kanë mbetur, PISA të jetë temë e përditshme e diskutimit në shkollat tuaja”, ka thënë ministri Bytyqi, duke ftuar të gjithë koordinatorët që të bashkëpunojnë ngushtë me Komisionin e MAShT-it të emëruar kohë më parë për organizimin e testit PISA.
Në këtë takim ishte i pranishëm edhe udhëheqësi i GIZ-it, Boris Scharllovski, organizatë kjo e cila po e mbështetë MAShT-in në realizimin e testit PISA, por edhe në procese të tjera që janë të lidhura me ngritjen e cilësisë në arsimin parauniversitar.